Vetëvendosje fton Zemajn të raportojë në Kuvend për “gjendjen e rënduar nga pandemia”

Lëvizja Vetëvendosje i ka dërguar kërkesë Kryesisë së Kuvendit që të ftohet Armend Zemaj për raportim para deputetëve për situatën me COVID-19 në Kosovë.

Kjo parti thotë se ftesa iu bë për shkak se gjendja pandemike në vend është përkeqësuar në mënyrë drastike.

“Pavarësisht përpjekjes vetëmohuese dhe përkushtimit të punonjësve shëndetësorë, numri i madh i të infektuarve, spitalet e mbingarkuara dhe paaftësia e kësaj Qeverie po e bëjnë përballjen me COVID-19 trefishë më të rëndë për qytetarët e Kosovës”, thuhet në letër.

VV po thotë se ndonëse Zemaj kishte premtuar spital të veçantë për COVID-19, “realizimi i tij nuk duket gjëkundi, e Klinika Pulmologjike dhe spitalet rajonale nuk kanë kapacitet për trajtim të një vale të re të të prekurve. Qytetarët e Republikës ndodhën pa mbështetje dhe pa përkujdesje”.

“Shpërfillëse ndaj gjendjes së qytetarëve, kjo Qeveri është zënë e befasuar në paaftësinë e saj. Me riciklim masash pa efekt e jo të duhura, të vonshme e të pazbatuara, Ministria e Shëndetësisë është shndërruar në një departament të dobët të mbledhjes së statistikave. Shifrat tregojnë se masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës janë të mangëta, pa analizë dhe pa vlerësim për efektet e tyre në terren”.

Vetëvendosje ka thënë se është e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës të diskutojë për gjendjen pandemike në vend dhe që ministri Zemaj të raportojë para deputetëve për situatën, masat që janë ndërmarrë dhe ato që duhet të ndërmerren për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe shëndetin publik në përgjithësi.