Vetëvendosje dhe koalicioni PDAK-LPB ankesë në Supreme – kur pritet të certifikohen rezultatet?

Lëvizja Vetëvendosje dhe Koalicioni mes Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës dhe Lëvizjes për Bashkëveprim (PDAK-LPB) janë dy partitë që kanë bërë ankesë në Gjykatën Supreme lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Partia e Albin Kurtit gjatë ditës së premte ka dorëzuar në Gjykatën Supreme një ankesë lidhur me procesin zgjedhor të postave të ardhura me postë pasi ia hodhi poshtë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Vetëvendosje akuzon LDK-në për manipulim të votave të ardhura përmes postës dhe kërkon anulimin e tyre.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! duke qenë e bindur dhe duke e dëshmuar me fakte e prova të pakontestueshme skemën kriminale të manipulimit me vota përmes postës, sot brenda afatit ligjor ka dorëzuar në Gjykatën Supreme ankesën e saj në lidhje me këtë proces. Lëvizja VETËVENDOSJE! edhe njëherë kërkon anulimin e 18.933 votave të LDK-së të ardhura në mënyrë të manipuluar, rivotimin me postë dhe largimin nga lista të kandidatëve që kanë marrë vota në mënyrë të pakrahasueshme më shumë përmes votimit me postë sesa në vendvotime në Kosovë dhe moszëvendësimin e tyre me anëtarë të tjerë të LDK-së.” – tha kjo parti.

Ankesë dje në afat ligjor në Gjykatën Supreme lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit ka bërë edhe Koalicioni mes Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës dhe Lëvizjes për Bashkëveprim (PDAK-LPB), kualicion ky që po e akuzon Partinë e Ashkalinjve për Integrim për orkestrim të votave të diasporës.

“Koalicioni PDAK-LPB ka dërguar në afat ligjor ankesën në Gjykatën Supreme, duke e dëshmuar me fakte e prova të pakontestueshme skemën kriminale të manipulimit me vota përmes postës nga subjekti politik PAI. Nga rezultatet nga QKN të qasshme në databazën e KQZ, PDAK-LPB kishte marrë gjithsejtë 1977 vota apo 0.23% krahas Partisë së Ashkalinjve për Integrim (PAI) që kishte marrë 1821 vota apo 0.22%. Pra, një dallim votash prej 156 votash e bënte fitues Koalicionin PDAK-LPB. Mirëpo, orkestrimi i votave të diasporës e ka përmbys rezultatin dhe me këtë rezultatet komuniteti Ashkali përfaqësohet nga subjekti politik i PAI i udhëhequr kryetari z.Etem Arifi i cili kishte qenë i dënuar me burg efektiv”.

PDAK-LPB thotë se me këtë rast është dëmtuar nga procesi i votimit me postë nga diaspora sepse “bazuar në provat e bashkëngjitura tregohet qartazi se këtu kemi të bëjmë me manipulim të votuesit të diasporës duke u marrë letërnjoftimet e tyre dhe duke i regjistruar në pajisjet e tyre, duke hapur email për ta (gjë që i ka bërë pronar dëftesash) dhe duke i votuar votat e tyre pa dijeninë e tyre. E kjo padyshim që nuk mund të quhet ndryshe përveç se orkestrim votash”.

“Për të vërtetuar pretendimet e PDAK-LPB se kemi të bëjmë me manipulim të vullnetit të votuesit nga PAl, gjegjësisht faktit se këta votues nuk kanë votuar fare ose nuk kanë shprehur mendimin e tyre as për subjektin politik dhe as per kandidatët, kemi emrat dhe mbiemrat e disa prej tyre që jetojnë në diasporë me prejardhje nga Kosova të cilët janë manipuluar nga PAI dhe prokuroria ka filluar hetimet. Përveç kësaj si provë kemi audioinçizimin dhe videon ku ata qartazi tregojnë se i kanë dërguar letërnjoftimet, apo ja kanë marrë letërnjoftimet, ju është hapur emaili nga PAI dhe këta fare nuk kanë marrë pjesë në procesin e votimit pra të njëjtit nuk e kanë shprehur mendimin e tyre as për subjektin politik dhe as për kandidatët”.

Ky koalicion po i kërkon Supremes që të anulojë 211 votat e partisë politike PAI të dërguara me postë ose të urdhërojë rinumërim, të anulojë 108 votat në komuna që fare nuk ka banorë të komunitetit ashkali dhe kërkon rinumërimin e votave në shkollën “Mihal Grameno”.

Certifikimi i rezultateve përfundimtare, KQZ: Procesi në fazën e ankesave

Komisioni Qendror Zgjedhor i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi zgjedhor është aktualisht në fazën e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 15 mars 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se KQZ-ja do të presë vendimet e institucioneve përkatëse, t’i zbatojë ato nëse kanë detyrime për KQZ-në dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare.

“Aktualisht procesi zgjedhor është në fazën e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 15 mars 2025. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë vendimet e institucioneve përkatëse, t’i zbatojë ato nëse kanë detyrime për KQZ-në dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare”, tha Elezi.

Kur pritet të certifikohen rezultatet? 

Pas këtyre dy ankesave, Gjykatës Supreme ka 5 dite afat për të shqyrtuar dhe vendosur mbi to, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, neni 118, pika 4.

Por, edhe nëse Supremja i hedh poshtë këto ankesa, atëherë i hapen rrugët KQZ për certifikim, por nëse ndonjë ankesë shqyrtohet nga Supremja, atëherë procesi mund të vonohet.

Dhe tek pasi të jenë përmbyllur të gjitha lëndët, KQZ e harton raportin final dhe bën certifikimin e rezultateve.

Ja çfarë thotë Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, Neni 106 thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikon rezultatet pas përfundimit të të gjitha procedurave.

“KQZ-ja certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe qendrat e numërimit si dhe kur të gjitha ankesat që u përkasin votimit dhe numërimit të vendosura nga PZAP-i dhe çdo ankesë ndaj vendimeve të PZAP-ja lidhur me to të jetë vendosur nga Gjykata Supreme e Kosovës.” – thuhet në Ligj.

Sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK siguroi 24 vende, LDK, 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.