Vetëm sonte 18 raste pozitive me koronavirus nga Ferizaji

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, gjatë natës së sotme ka bërë të ditur se janë konfirmuar edhe 23 raste me koronavirus, 18 prej tyre janë nga Komuna e Ferizajt.

Pas konfirmimit të rasteve të reja, Komuna e Ferizajt përmes një njoftimi publik ka bërë apel të qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi.

“Rezultatet nga mostrat e marra në Ferizaj për rastet e dyshimta me virusin COVID-19 përmbysin numrin e ulët të të infektuarve me këtë virus në Ferizaj. Janë plot 18 persona nga Ferizaj që sonte nga testet e bëra kanë rezultuar pozitiv në testin e virusit COVID – 19. Kryesisht janë persona kontakti, familjarë të të infektuarit nga fshati Sazli që ndërroi jetë ditë më parë, por edhe qytetarë nga vendbanime të tjera në territorin e Ferizajt. Rastet pozitive janë raste kontakti, tetëmbëdhjetë (18) raste nga Komuna e Ferizajt: 8 Sazli, 3 qytet Ferizaj, 2 Mirash, 1 Varosh, 1 Greme, 1 Talinoc i Muhaxherëve, 1 Neredime dhe 1 Lloshkobare”, thuhet në njoftim.

Edhe 14 të shëruar e 23 raste të reja me COVID-19 – shkon në 250 numri i të infektuarve në Kosovë

Komuna e Ferizajt thekson se “profesionistët shëndetësor po bëjnë gjithë çfarë është e mundur që situata të mbahet nën kontroll, Shtabi Emergjent ka ngritur kapacitetet e saja vepruese në shkallë të gjerë, porse është e domosdoshme të zbatohet thirrja për qëndrimin në shtëpi”.

“Ferizajas, ju lutemi, qëndroni në shtëpi, është në dorën tuaj fati e shëndeti i qindra bashkëqytetarëve, mos lejoni që të bëheni shkaktarë të një shpërthimi të frikshëm epidemik që do të rrezikonte masivisht shëndetin publik”,  vijon njoftimi.

Ndryshe, IKSHPK ka konfirmuar se janë edhe 23 raste të reja me COVID-19, duke çuar kështu numrin në 250 të personave të infektuar.