Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), ka njoftuar se janë konfirmuar edhe 7 raste të reja me koronavirus në Kosovë. Në total numri i të infektuarve ka shkuar në 813.
“Sot më 01 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 221 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej shtatë (7) raste”, benë me dije IKSHPK-ja.
Rastet pozitive janë raste kontakti dhe sipas vendbanimit: gjashtë (6) raste nga komuna e Prizrenit dhe një (1) rast nga komuna e Suharekës, shkruan Gazeta Stop.
“Sot më 01 maj 2020, janë shëruar edhe njëzet e shtatë (27) pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej dyqind e nëntëdhjetë e tetë (298) raste”.
Nga data 08 shkurt deri më 01 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 7.644 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej tetëqind e trembëdhjetë (813) raste, me gjithsej njëzet e dy (22) raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.