Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka vizituar sot komunën e Drenasit, ku u prit nga kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci dhe me këtë rast u informua rreth masave të ndërmarra në gjendje pandemie, brengën për zjarret në pyjet e Drenasit si dhe vizitoi xhaminë e djegur në Vërbovc.
Kryetari Veseli dhe Lladrovci, fillimisht vizituan zonën e bjeshkëve të Baicës, Obrisë dhe Tërdecit, zonë ku janë djegur qindra hektarë pyje, duke shfaqur brengosjen të thellë për këto male që janë pasuri nacionale, por edhe sinonim i fitores në luftë dhe ato duhet të mbrohen, me ç’rast potencoi edhe rëndësinë e këtyre maleve gjatë luftës çlirimtare.
Kryetari Veseli ftoi qytetarët ta ruajnë këtë pasuri dhe të mos ndezën zjarre sepse po dëmtohet vlera e madhe natyrore e komunës së Drenasit dhe Kosovës.
Veseli pastaj zhvilloi një vizitë tek xhamia e vjetër e Vërbovcit, e cila u dogj në rrethana ende të pasqaruara, dhe me këtë rast takoi edhe udhëheqësit e Bashkësisë Islame të Drenasit.
Veseli shprehu indinjatën e thellë për këtë akt kriminal kundër xhamisë në Vërbovc, të vjetër mbi pesë shekuj, që ishte tempull i faljes para zotit por edhe strehë e atdhetarizmit.
“Jemi në një fshat ku ka ndodhur një ndër masakrat më të mëdha në tërë Kosovën. Do t’i mbrojmë monumentet tona historike siç është kjo xhami dhe është lajm i mirë se ka shumë ndërmarrës që këto kushte të rënda të pandemisë, kanë shprehur gatishmërinë për të rinovuar këtë xhami”, tha Veseli.
Kreu i PDK-së, Veseli në fund vizitoi edhe një fermer të Vërbovcit, ku foli për propozimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë, me theks të veçantë për ndërmarrësit privat. Sepse, theksoi Veseli, përpos aspektit shëndetësor, Kosova duhet të përgatitet edhe për aspektin socio-ekonomik pas pandemisë.
Veseli përgëzoi Lladrovcin për menaxhimin e situatës së pandemisë, përkushtimin maksimal të pushtetit lokal në përballimin e situatës, për unitetin e plotë në nivelin lokal dhe zbatimin e masave për luftimin dhe pengimin e virusit covid-19.
Po ashtu, Veseli vlerësoi lartë angazhimin e Lladrovci për motivimin e solidaritetit të qytetarëve, shpërndarjen e ndihmave për familjet në nevojë, duke shpërndarë mijëra pako ushqimore dhe higjienike me fondet e komunës dhe donatorët.