Veseli për akuzat e Speciales: Jam tërësisht i pafajshëm

Ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli në seancën e parë gjyqësore të tij në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, ka thënë se është tërësisht i pafajshëm për akuzat e që e rëndojnë.

“I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Më lejoni të deklarohem me bindje të plotë se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Veseli.

Ish-kryetari i Partisë Demokratike dhe ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, në paraqitjen e parë para Dhomave të Specializuara, ka konfirmuar se ka pranuar aktakuzën e ngritur ndaj tij nga Specialja.

Ben Emmerson, avokati i njohur britanik, do të jetë përfaqësuesi ligjor në Gjykatën Speciale, i ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Ben Emmerson i specializuar në të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, të drejtës ndërkombëtare dhe penale kushtetuese e publike, e njeh shumë mirë Kosovën, UÇK-në dhe luftën e saj për liri.