Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka bërë sot homazhe tek pllaka përkujtimore e të pagjeturve në oborrin e Kuvendit.
Ai tha se nuk ka amnisti e as falje për krimet serbe të kryera në Kosovë. Në Ditën e të Pagjeturve, ai ka kërkuar që Kuvendi ta votojë iniciativën e tij për formimin e Tribunalit për krimet serbe.
“Ky simbol prapa nesh që simbolizon dhembjen e njerëzve tanë, do shpagim. Serbia duhet të përgjigjet për krimet që ka kryer, përmes një Tribunali që kam iniciuar. Kosova e ka për obligim të kërkoj përgjigje”, theksoi Veseli.
“Kuvendi tashmë do duhej ta votonte Tribunalin që e kam iniciuar në legjislaturën e kaluar, që është drejtpërdrejt te shteti serb. Nuk ka amnisti, nuk ka falje, ka veç përgjigje të Serbisë për krimet që i ka kryer. Nuk ka as pranim as nënshtrim, por vetëm përgjigje për krimet që i ka kryer”, ka thënë kryetari i PDK-së Kadri Veseli.