Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Veseli ka bërë një postim në facebook me rastin e “Ditës Botërore të Telekomunikacionit dhe Shoqërisë së Informacionit” duke theksuar se partia e tij e ka mbështetur këtë fushë si asnjë parti tjetër. Ai gjithashtu vë në dukje se të dhënat e fundit tregojnë një rezultat shumë të lartë të shtrirjes së internetit duke e radhitur Kosovën në mesin e 30 shtetet që kanë mbulimin më të lartë të internetit në botë.
Në postimin e tij Veseli thekson se sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit ka potencial të madh zhvillimi e punësimi dhe se të rinjtë e talentuar të Kosovës tashmë kanë treguar sukses të madh duke krijuar kompani që konkurrojnë në nivel global.Prandaj sipas tij, një ndër gabimet kryesore të qeverisë në ikje ka qenë shuarja e Ministrisë së Inovacionit e Ndërmarrësisë të cilën PDK e krijoi duke ndjekur modele të vendeve më të zhvilluara të Evropës për ta mbështetur këtë sektor.
Postimi i plotë i liderit të opozitës, Kadri Veselit është si më poshtë:
Sot shënohet “Dita Botërore e Telekomunikacionit dhe Shoqërisë së Informacionit”, e përcaktuar prej OKB-së, për të ngritur vetëdijen lidhur me mundësitë dhe dobitë që sjell në shoqëri dhe ekonomi përdorimi i internetit dhe teknologjive të tjera të informacionit dhe komunikimit. Kosova ka arsye për t’u krenuar sepse rezultatet e “Anketës së përdorimit të Teknologjisë Informative dhe Komunikimit, 2019” të bërë nga ASK-ja, tregojnë se 93.2 për qind e familjeve kanë qasje në internet. Me këtë përmasë, ne radhitemi ndër 30 shtetet që kanë mbulimin më të madh të internetit në botë.
Partia Demokratike e Kosovës e ka mbështetur si asnjë parti tjetër këtë fushë, prandaj, duke ndjekur modelin e vendeve të tjera evropiane si Suedia, Italia, Belgjika, Hungaria apo Rumania, vendosëm që të krijonim Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Ky është sektori më premtues për rritjen ekonomike dhe për hapje të vendeve të reja të punës që paguhen mirë. Për këtë arsye, unë besoj se një ndër gabimet më të mëdha që ka bërë qeveria në ikje, ka qenë shuarja e kësaj ministrie.
Të rinjtë e talentuar të Kosovës, tashmë, kanë krijuar kompani të kësaj fushe duke konkurruar me sukses në nivel global apo duke iu ofruar shërbime e produkte kompanive të tjera më prestigjioze e vendeve më të zhvilluara. Prandaj, ne, duhet ta rikthejmë këtë ministri dhe ta rikthejmë vëmendjen e shtetit për të mbështetur lulëzimin e mëtejshëm të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në Kosovë.