Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka thënë se vendi do të shkoj në zgjedhje brenda 12 muajve.
“Unë ju them sonte këtu që nuk mund të kalojnë 12 muaj pa pasur zgjedhje. Unë do të jem i pari që do kërkoj zgjedhje në momentin e parë që Kosova nuk do të jetë më e rrezikuar nga COVID-19”, ka thënë kryetari i PDK-së.
Më tej, ai ka thënë se kjo është një kërkesë e qytetarëve për shkak se ata janë të lënduar me zhvillimet e fundit në të cilat janë përfshirë partitë tjera politike.
“Partia Demokratike qëndron shumë mirë por kjo nuk është arsyeja e vetme që do të shkojmë në zgjedhje. Në zgjedhje do të shkojmë për qytetarët dhe kjo do të ndodhë brenda një viti.”, ka thënë Veseli.
Veseli ka folur edhe për reformat brenda Partisë Demokratike të cilat sipas tij janë në rrugë të pandalshme.
Ai gjithashtu ka thënë se qeveria e Hotit do të kolapsojë shpejtë.
“Nuk e di së çfarë se do të bëjë por kam shpresa të vogla dhe besoj se kjo Qeveri do të kolapsojë shumë shpejt. Do të punoj që sa më shpejt të shkojmë në zgjedhje. Qytetarët janë mashtruar. Kjo Qeveri është pjesë e epokës së mashtrimit”, është shprehur Veseli.
“Qeveria e re është shumë e dëmtuar, sepse është vazhdimësi i qeverisjes së kaluar – i njëjti projeksion. Kemi skepticizmin tonë se nuk do të mund të bëjë diçka, ose asgjë. Do ta thellojë krizën ekonomike. LDK ka qenë bashkë me Vetëvendosjen, nuk mund t’i faturohet e tëra LVV. Kur e kemi propozuar pakon emergjente ka mundur ta ngritë zërin”.
“Kryeministri është vazhdimësi, është zëvendës i Kurtit i cili është futur në një projekt për shpresë dhe e kanë dëmtuar për 50 ditë”, tha Veseli.