Veseli bisedon me përfaqësues institucionesh të shqiptarëve në rajon, kërkon bashkëpunim për tejkalimin e pandemisë

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka biseduar sot në telefon me bartës institucionesh në Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi e Luginë e Preshevës, për tu interesuar për situatën me pandeminë.

Në një postim në Facebook, Veseli ka kërkuar më shumë kooordinim e bashkëpunim, për t’ia dal sa me sukses shqiptarët në luftimin e pandemisë.


Statusi i plotë i tij:

Sot zhvillova disa biseda telefonike me kolegë liderë shqiptarë që janë bartës institucionesh në Shqipëri, Maqedoni Veriore, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës, për t’u interesuar lidhur me gjendjen e bashkëkombësve tanë në kushtet e pandemisë së koronavirusit. Bisedova me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Metën i cili më tregoi për masat e rrepta që janë marrë dhe efektin e tyre.

Në bisedën që bëra me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë Veriore, Bujar Osmani, u njoftova edhe për gjendjen e shqiptarëve atje dhe pakon gjithëpërfshirëse ekonomike  që ata kanë miratuar për të shpëtuar ekonominë nga pasojat e kësaj situate emergjente. Bisedova edhe me Genci Nimanbegun që është nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi prej të cilit mësova se gjendja në këtë shtet është duke u menaxhuar relativisht mirë dhe se shqetësimi kryesor i shqiptarëve të atjeshëm është rrezikimi i sezonit të ardhshëm turistik prej pandemisë.

Së fundmi fola edhe me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafën si dhe me kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifin. Gjendja në Luginën e Preshevës është veçanërisht e rëndë dhe bashkombasit tanë atje janë të lënë tërësisht anash prej autoriteteve qendrore të Beogradit. Ajo që e bën akoma më dramatike gjendjen e tyre është fakti që dhjetëra mijëra shqiptarë atje, shërbimet shëndetësore mund t’i marrin vetëm nga një spital, ai i Vranjës, i cili është tashmë i tejngarkuar. Lugina e Preshevës ka nevojë sot, më shumë se kurrë për solidaritetin tonë dhe për ndihmën e shteti të Kosovës.