Mediat bullgare raportojnë se shkaku i përplasjes së autobusit nga Maqedonia e Veriut në Bullgari, ku vdiqën 45 persona, mund të jetë humbja e orientimit të shoferit shkaku i gjendjes së infrastrukturës, duke përfshirë rrugën, tabelat dhe shenjat.
Ky është mendimi i dy ekspertëve nga Qendra Evropiane për Siguri Rrugore, Diana Rusinova dhe Krassimir Georgiev, shkruan Dnevnik.
Ky medium raporton se ata mbrëmë kanë kryer një eksperiment me një autobus të ngjashëm në itinerarin e mjetit të aksidentuar. Ata nuk kanë mundur të arrijnë në vendin e aksidentit pasi rruga është ende e mbyllur. Megjithatë, edhe para këtij seksioni, gjendja e “shënjimeve dhe shenjave është, për ta thënë butë, e keqe,” tha Georgiev.
“Sidoqoftë, ekspertët tregojnë se ky është një version dhe mund të ketë arsye të tjera”, shkruan ky medium.
Autobusi, i regjistruar në Maqedoninë e Veriut, është përfshirë nga flakët në një autostradë, në jugperëndim të Sofjes, mëngjesin e 23 nëntorit.
Hetimet për shkakun e zjarrit kanë nisur. Në mesin e viktimave janë gjithsej 12 fëmijë, përfshirë du vëllezër binjakë nga 4 vjeç.
Shumica e udhëtarëve ishin turistë që ktheheshin nga një udhëtim në Stamboll të Turqisë. Shtatë persona kanë shpëtuar dhe janë dërguar me djegie në spital.
Maqedonia e Veriut ka shpallur tri ditë zie për viktimat. Ditë zie kanë shpallur edhe Kosova dhe Bullgaria.