Verifikimi për shtesat për fëmijë, Ministria e Financave ka një njoftim

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFTP), ka dalë me një njoftim të martën rreth verifikimit shtesë për disa llogari të prindërve lidhur me shtesat për fëmijë.

MFPT ka njoftuar se ky veprim është bërë për t’u siguruar se ata dhe fëmijët e tyre jetojnë në Kosovë, derisa ka thënë se ata që s’kanë pranuar ndonjë njoftim në e-Kosova dhe e-mail adresat e tyre, s’kanë nevojë të ndërmarrin ndonjë veprim.

Po ashtu bëhet e ditur se programi i shtesave do të vazhdojë si zakonisht, dhe prindërit do të pranojnë shtesat çdo muaj në llogarinë tuaj.

“Në kuadër të programit për shtesat për fëmijë, është një numër i caktuar i prindërve, llogaria e të cilëve është përzgjedhur për verifikim shtesë për t’u siguruar se ata dhe fëmijët e tyre jetojnë në Kosovë. Të gjithë këta prindër kanë pranuar njoftimin në eKosova dhe në email adresat e tyre, me hapat e nevojshëm për të kompletuar verifikimin shtesë dhe për të ri-aktivizuar llogarinë e shtesave për fëmijë.

Nëse ju nuk keni pranuar njoftimin e tillë nga eKosova e as email nga MFPT, atëherë nuk keni nevojë të ndërmerrni ndonjë veprim. Programi i shtesave për fëmijë vazhdon si zakonisht, dhe ju do të pranoni shtesat sikurse çdo muaj në llogarinë tuaj”, thuhet në njoftimin nga Ministria e Financave.