Verhelyi deputetëve: Për KE-në s’ka dyshim, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE

Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Verhelyi, ka thënë se për Komisionin Evropian (KE) nuk ka dyshim se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Kosovën, është në BE.

Ai ka treguar për pakon ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe ka thënë se BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në luftën ndaj pandemisë, siç e ka bërë edhe tash.

Verhelyi në adresimin e tij në Kuvendin e Kosovës ka treguar se plani i BE-së për investim në Ballkanin Perëndimor do të ndryshojë pamjen e Kosovës dhe rajonit e do të krijohet ekonomi e qëndrueshme.

“Për KE-në nuk ka dyshim se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE…I bëjë thirrje kësaj shtëpie që të ketë konsensus për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me reforma të BE-së. Kjo shtëpi ka rolin kyç për të luajtur dhe ka përgjegjësinë kryesore. Heqja e tarifës 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës nga Kosova ka qenë vendim kyç. Është kthyer tregtia mes vendeve dhe po ashtu ka rifilluar dialogu Kosovë – Serbi i ndihmuar nga BE-ja. Shpresoj të bëhet përparim në muajt e ardhshëm dhe të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse. KE-ja është e përkushtuar edhe ndaj liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. E dimë se sa e rëndësishme është kjo për qytetarët e Kosovës. Vlerësimi i Komisionit është se Kosova i plotëson të gjitha kriteret. Komisioni do të ofrojë informatat e kërkuara nga shtetet anëtare kur çështja të kthehet në agjendën e Këshillit të BE-së. Është kyçe që institucionet e Kosovës të vazhdojnë të plotësojnë kriteret. Ne po punojmë të bindim anëtarët tanë se Kosova dëshiron liberalizimin. Por, nuk jemi ende atje, duhet të punojmë fortë dhe përkrahja e kësaj shtëpie është shumë e nevojshme. Me planin ekonomik që kemi, dhe me përkushtimin ndaj reformave, mund të krijojmë një pamje të re për Kosovën dhe po ashtu për rajonin brenda pak viteve. Së bashku do ta bëjmë këtë”.