Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se Këshilli Drejtues i kësaj partie në mënyrë unanime ka vendosur që kjo parti nuk do ta mbështesë kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente.
“Këshilli Drejtues i PDK-së në mënyrë unanime nuk e mbështet kandidaturën e Vjosa Osmanit për të qenë presidente e vendit. Ky është qëndrim i Këshillit Drejtues të PDK-së dhe një vendim të tillë e respekton edhe Kryesia dhe Grupi Parlamentar”.
“Debatet kanë qenë të shumta. Unë nuk jam këtu që të reflektoj një përmbledhje se kush çfarë tha nga anëtarët e Këshillit Drejtues. Nuk jap analiza dhe opinione, por jap fakte. Ky është fakti dhe qëndrimi i sjelljes politike të PDK-së në Kuvend të Kosovës kurdo që të mbahet seanca”.
Por, a do të qëndrojnë në sallë në ditën kur Vjosa Osmani mund të votohet për presidente?
“Unë e kam thënë edhe më herët, pjesëmarrjen si parti politike s’e kemi profesion, ne jemi opozitë. Profesion e kemi politikën dhe betejat politike”.
I pari i PDK-së ka folur edhe për kërkesat brenda PDK-së që Kryesia duhet të dorëhiqet, njofton Klan Kosova.
“Ka pasë dy zëra – Lirak Çelaj dhe Xhevahire Izmaku. E kemi vendosur në rend të ditës dhe kanë dalë dy vota në raport me të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues. Janë zëra të nderuar të kolegëve në Këshill Drejtues, por janë zëra shumë të izoluar”.
Hoxhaj ka treguar edhe se çfarë vendimesh të tjera janë marrë në këtë mbledhje që ka zgjatur disa orë.
“Kemi pasë një mbledhje jashtëzakonisht të mirë të Këshillit Drejtues ku kemi nxjerrë tri ose katër vendime që janë jetike për të ardhmen e PDK-së. Këshilli Drejtues ka ngarkuar PDK-në që të dalë me një dokument strategjik se si të ndodhë reforma në PDK. PDK-ja ka nevojë të hapet, zgjerohet, të sjellë kuadro të reja dhe të jetë një koalicion kombëtar shoqëror profesional me qytetarët e Kosovës dhe ne në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Drejtues duhet ta prezantojmë një dokument të tillë që nënkupton se si duket reformimi i PDK-së 2021-2025”.
“Kemi marrë vendim që ta kemi një strategji të detajshme se në çfarë forme do të bëjë PDK-ja opozitë. Së treti, kemi miratuar një kalendar për zgjedhje lokale ku shpallen kandidatët për kryetar komunash, si ndërtohet lista për Asamble Komunale, dhe si e në çfarë forme do të zhvillojmë politika komunale”.