Vendimi pro-prokurorisë i shkakton probleme Thaçit: Mbrojtja e tij anulon disa intervista me dëshmitarë

Një vendim në favor të Prokurorisë së Specializuar që mori para disa ditësh gjyqtari paraprak në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur t’i shkaktojë probleme mbrojtjes së krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykatësi paraprak, ndër të tjera, para pak kohësh aprovoi manualin e intervistimit të dëshmitarëve, duke pranuar edhe kërkesën e prokurorisë që të jetë prezente apo të ketë qasje kur avokatët mbrojtës intervistojnë dëshmitarët.

Sipas vendimit të marrë, kjo mund të bëhet me një kërkesë te trupi gjykues.

Avokati i Thaçit, Gregory Keohe, ka njoftuar se si rrjedhojë e një protokolli të tillë të vendosur nga gjyqtari paraprak, është detyruar t’i anulojë disa intervista me dëshmitarë.

Kjo pasi që paraprakisht, dëshmitarët në fjalë kishin pranuar të takohen me mbrojtjen pa asnjë kusht.

“Mbrojtja po vazhdon hetimet. Megjithatë, siç u parashtrua më parë, hetimet mbeten të penguara nga një sërë faktorësh jashtë kontrollit të mbrojtjes dhe do të ndikohen ndjeshëm nga zbatimi i kohëve të fundit i “Kornizës për trajtimin e informacionit konfidencial gjatë hetimeve dhe kontaktit midis një pale ose Pjesëmarrësit dhe dëshmitarët e palës kundërshtare ose të një pjesëmarrësi’ (“Protokolli i dëshmitarit”). Për shkak të këtij Protokolli të Dëshmitarit, Mbrojtjes iu desh të anulonte disa intervista të planifikuara të dëshmitarëve të prokurorisë, të cilët ishin të gatshëm të takoheshin me Mbrojtjen pa asnjë kusht”, ka thënë avokati i Thaçit, Gregory Keohe.

“Përgatitja për depozitimet e propozuara është vonuar pa masë nga zbatimi i Protokollit të Dëshmitarëve, për shkak të nivelit të përgatitjes, organizimit dhe koordinimit që tani kërkohet për ndërveprimet me dëshmitarët që bien brenda parametrave të tij. Mbrojtja nuk mund t’i propozojë ndonjë datë reale për intervista Prokurorisë, pa folur më parë me dëshmitarin. Pushimi veror fillon pas pak ditësh dhe kjo periudhë festash e bën më të vështirë çdo intervistë me dëshmitarët”, ka thënë tutje avokati i Thaçit në një parashtresë që e ka parë lajmi.net.

Këto detaje, avokati i Thaçit i ka bërë të ditura në shkresën që e ka dërguar para seancës që mbahet sot, e cila do të jetë konferencë për ecurinë e çështjes.

Kjo çështje, do të diskutohet pikërisht sot ndërmjet avokatëve, prokurorisë dhe gjykatësit të procedurës paraprake.