Miratimi i vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të jetë të mërkurën në rend dite në takimin e ambasadorëve të BE-së, në Bruksel.
Në takimin e këtij grupi, të njohur si Coreper, vendimi pritet të miratohet pa diskutim, pasi për tekstin e tij, vendet anëtare të BE-së janë pajtuar më 22 nëntor, në një takim të këshilltarëve për çështje të brendshme dhe drejtësi.
Teksti është përpiluar nga Çekia, e cila ka udhëheqjen aktuale të BE-së, pas disa takimeve të grupeve punuese dhe diskutimeve dypalëshe me vendet që kanë pasur vërejtje.
Sipas versionit të fundit, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.
Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.
Deri atëherë, Kosova duhet të synojë të ketë “marrëveshje apo aranzhime” për riatdhesim me ato vende të BE-së, me të cilat nuk i ka.
Kosovës, po ashtu, i kërkohet të vazhdojë të përshtasë politikën e saj të vizave me atë të BE-së.
Krahas tekstit për liberalizimin e vizave për Kosovën, është bërë edhe një deklaratë, me të cilën vendeve anëtare të BE-së u kërkohet që të bëjnë çmos që sistemi ETIAS të jetë funksional në datën e caktuar, përkatësisht më 1 nëntor të vitit të ardhshëm.
ETIAS kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.