Ulja e numrit të rasteve të të infektuar me koronavirus në Kosovë ka bërë që Qeveria të ndryshojë edhe masat.
Në vendimin e fundit për masat anti-Covid, ekzekutivi ka marrë vendim që të hiqet pika në të cilën thuhet se shtatzënat lirohen nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë. Pas këtij vendimi, institucionet kanë nisur t’i thërrasin në punë shtatzënat, ani pse ne vendim nuk ishte e definuar mirë një gjë e tillë.
Gazeta Infokus ka kërkuar një qartësim nga Ministria e Shëndetësisë rreth kësaj çështje.
Nga ky dikaster kanë thënë se edhe shtatzënat duhet që të dalin fizikisht në vendin e punës.
“Me vendimet e fundit të Qeverisë, të gjitha kategoritë duhet të paraqiten në punë, duke pasur me vete dëshmitë qe kërkohen si kartela e vaksinimit apo ndonjëri nga testet e COVID-19”, ka bërë të ditur MSH, për Infokus.
Ndryshe, në bazë të raportit të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë për 24-orë kanë humbur jetën 3 persona ndërsa janë infektuar 23 të tjerë me koronavirus.