Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku ka vendosur të mbesin në fuqi deri më 6 prill, vendimet që kanë për qëllim parandalimin dhe kontrollit të përhapjes së koronavirusit.
Qeveria thotë se me propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë, është marrë vendim që të mbetet në fuqi deri më 6 prill masa e shpalljes emergjente për shëndetin publik, si dhe vendimi i cili ndalon qarkullim e qytetarëve dhe automjeteve private gjatë orës 17:00-06:00, përveç nevojave mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë.
Pastaj, ndërprerja e procesit edukativo-arsimor në institucionet arsimore publike dhe private, me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna (kjo masë nuk vlen për punëtorët shëndetësorë dhe për punëtorët në sektorin e sigurisë).
Gjithashtu, deri më 6 pril l, ndalohen hyrje daljet e qytetarëve në Komunën e Klinës dhe Malishevës.
Qeveria nëpërmjet një komunikate thotë se Ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, jo më vonë se 3 prill 2020, vendimet e mësipërme i rishqyrton, në konsultim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, ekspertë dhe ministritë tjera të linjës, për të vlerësuar efikasitetin dhe domosdoshmërinë e masave të përcaktuara, si dhe i jep rekomandim Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me vazhdimin ose jo të vendimeve përkatëse.
“Situatën epidemiologjike, ministri i Ministrisë së Shëndetësisë do ta ri-analizojë çdo ditë dhe në lidhje me secilin vendim të lartcekur dhe pas konsultave paraprake, mund t’i rekomandojë Qeverisë mbetjen në fuqi të vendimit, ndryshimin apo plotësimin e masave të përcaktuara me Vendim ose shfuqizimin e vendimit. Obligohen institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme p r zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftim.