Vëllai i ministrit të Shëndetësisë bëhet ambasador

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës vazhdon t’i gradojë njerëzit e afërt me partitë në pushtet, duke shpikur edhe pozita që nuk parashihen me legjislacionin aktual.
Së fundi, gradën më të lartë në shërbimin diplomatik, atë të ambasadorit, e ka marrë Astrit Zemaj, i cili është vëllai i ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Pas marrjes së titullit, menjëherë është propozuar përfaqësues i Republikës së Kosovës për vendet e Bashkimit Evropian (BE), nëpërmjet misionit diplomatik të Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës me seli në Bruksel.

Vendimi të cilin ka arritur ta sigurojë KOHA është firmosur nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj.
Sipas vendimit, Zemaj vepron në cilësinë e shefit të misionit në raport me çështjen për të cilën është emëruar, sipas pikës 1 të këtij vendimi.

Mbështetur në ligjet dhe rregulloret me të cilat funksion MPJD, një pozitë e tillë nuk parashihet. Sipas rregullores, caktimi në detyra specifike në misionet jashtë vendit bëhet sipas nevojës që mund të kërkohet nga Ministria.

MPJD e ka arsyetuar emërimin duke thënë se, Zemaj i ka kaluar të gjitha procedurat e gradimit dhe se i njëjti është pjesë e shërbimit të jashtëm prej vitit 2009. Sipas tyre, në prill të vitit 2020, Komisioni i themeluar nga ish Ministri i MPJD-së, Glauk Konjufca për përgatitjen e listës me kandidatët të cilët i plotësojnë kriteret, për caktimin në detyrë në postet vakante, të shpallura me datë 31 mars 2020, kishte rekomanduar Zemajn për të shërbyer në Ambasadën respektive.

MPJD ka thënë se, Ambasadori Zemaj do të jetë përgjegjës me funksion për mbulimin e çështjeve që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me BE-në.

Në shumicën e vendeve të BE-së, Kosova i ka ambasadorët e akredituar, përfshirë edhe Brukselin, që është kryeqendra e institucioneve evropiane.

Grada diplomatike ambasador miratohet nga presidenti, me propozimin e Qeverisë.

KOHA ka kërkuar sqarime edhe nga Presidenca, por nuk ka marrë përgjigje. Astrit Zemaj ishte graduar nga Thaçi edhe në vitin 2016, pak kohë pasi ishte vendosur në krye të Presidencës, edhe me pjesëmarrjen në votim të ish-deputetit të LDK-së, Armend Zemajt. Pa kaluar në komisionin përkatës për grada, Thaçi e kishte avancuar Astrit Zemajn nga pozita e konsullit, në atë të zëvendësambasadorit në Berlin.

Në lidhje me procesin e gradimit dhe emërimet e reja nuk është në dijeni Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme. Kryetarja e këtij komisioni, Time Kadriaj, i ka thënë KOHËS se nuk kanë mundur të mbajnë mbledhje për shkak të pandemisë, teksa ka shtuar se do ta ftojnë ministren Haradinaj në raportim.

Edhe anëtarja nga radhët e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, thotë se nuk kanë marrë asnjë informatë lidhur me emërimet dhe gradimet që ka bërë MPJ. Sipas saj, jotransparenca e ka shoqëruar procesin edhe në të kaluarën, teksa për emërimin e Zemajt thotë se po shpiken pozita të reja për ta rehatuar e mirëmbajtur koalicionin.

“Kjo nuk është diçka e re për këta të klubit të stërvjetruar politik. Këtë e kanë bërë edhe në të kaluarën, kur kanë graduar në mënyrë jotransparente e pa respektuar procedurat ligjore familjarë e të afërm, për t’i avancuar interesat e tyre private e partiake. Gradimi i z. Astrit Zemaj në ambasador për vendet e BE-së tregon sa poshtë kanë rënë. Këta shpikin pozita të reja për ta rehatuar e mirëmbajtur këtë koalicion. Cila do të jetë detyra e ambasadorit për vendet e BE-së? Çfarë do të bëhet me ambasadorët në Berlin, Paris, e Bruksel? Po ashtu, nuk është hera e parë që z. Zemaj avancohet në pozitë në mënyrë jotransparente dhe jomeritore. Ne vitin 2016, ministri i Punëve të Jashtme, atë kohe Hashim Thaçi, pati graduar atë nga këshilltar në zëvendësambasador”, ka thënë ajo.

Vëzhgues të punës së shërbimit të jashtëm thonë se përfituesit më të mëdhenj nga procesi i gradimit janë ata që kanë lidhje me partitë në pushtet. Leonora Kryeziu nga Instituti i Prishtinës për Studime politike thotë se kur MPJD shpik pozita të reja që nuk parashihen ligj do të duhej së paku të japë sqarime për to.

Shërbimi i jashtëm vazhdon të jetë i politizuar, ku të fuqishmit e partive në pushtet kanë rehatuar familjarë e militantë partiakë.