Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, deklaroi se kryeministri Kurti dhe kabineti i tij, po ua tregojnë “muskujt” mësimdhënësve, duke thënë se Qeveria i ndëshkoi dhe “i la pa bukën e gojës 20 mijë familje”.
Veliu shkroi në Facebook të martën se “qeveria e shpresës” po e tregon fytyrën e vërtetë, duke u shprehur se pagat e mësimdhënësve do të jenë peng i bankave.
“Në kohën e inflacionit më të lartë që nga paslufta, ngritjes enorme të çmimeve dhe kur qeveria e mashtrimit po paralajmëron dimër të rëndë energjetik, shumica e mësimdhënësve nuk do të marrin paga as në nëntor. Pagat e tyre do të jenë peng i bankave, duke paguar dy këste të kredisë e me kamata ndëshkuese. Prandaj, më shumë se kurrë nevojitet reagim dhe presion opozitar e qytetar mbi qeverinë e mashtrimit që pagat e mësimdhënësve të procesohen menjëherë”, shkroi deputeti i LDK-së.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka folur sërish lidhur me pagat e mësimdhënësve për muajin shtator, kohë sa ishin në grevë, duke se thënë se komunat që janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar, nuk kanë raportuar në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, ndonëse e kanë obligim.
“Për më shumë se një vit, kemi zhvilluar dhjetëra takime me kryesinë e SBASHK-ut, i kemi lutur të mos marrin hapa të pamenduar, pasi si Qeveri kemi adresuar shumë shqetësime të mësimdhënësve, kemi miratuar politika të reja e rritur buxhetin për arsim. Kemi diskutuar me Kryesinë e SBASHK-ut se a do të kompensojë sindikata pagat e mësuesve ashtu siç ndodhë në shumicën e vendeve tjera dhe meqë ligji ndalon kompensimin për punën e pakryer. Asnjë vëmendje e kujdes në këtë drejtim, përkundrazi një muaj grevë, shumë dëme për fëmijët, asnjë kujdes nga punëdhënësit, shumë zhurmë nga ata që kanë përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhet arsimi”, ka shkruar Nagavci në Facebook këtë të martë.