Agim Veliu drejtoi në vitin 2020 Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndonëse u ndërruan dy kryeministra.
Ai është një nga politikanët që ka dominuar skenën politike – prej periudhës së negociatave mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, arritjes së saj, pastaj prej shkarkimit nga pozita e ministrit e deri te riemërimi në krye të MPB-së
Veliu për të gjitha proceset e kaluara këtë vit ka folur në një intervistë për KlanKosova.tv, për punën në ministri por edhe zhvillimet në LDK.
Për të, 2020-ta ka qenë vit që është karakterizuar me siguri të lartë për vendin, ndërkaq ka treguar edhe për përgatitjet që po bëhen për aplikim për anëtarësim në INTERPOL.
Sa i përket zgjedhje të reja, nënkryetari i parë i LDK-së, beson se ky subjekt politik do të dalë fitues nga ky proces.
Me Albin Kurtin e Vetëvendosjes ai ka thënë se do të ketë përherë dallime, ndërsa Vjosa Osmanin e ka quajtur recidive kundër partisë së tyre dhe se sipas tij për LDK-në nuk do të ishte e pranueshme si kandidate konsensuale për Presidente të Kosovës.
Në tetor ai ka theksuar se do të arrijnë ta rikthejnë Podujevën.
Intervista e plotë:
Si e keni gjetur MPB-në kur e keni marrë mandatin dhe si po përmbyllet ky vit – cilat janë sukseset e shënuara?
Agim Veliu: Pavarësisht vështirësive që i kam trashëguar nga kjo ministri, kemi punuar shumë dhe me përkushtim të madh bashkë me stafin tim politik dhe atë civil për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.
Prioriteti kryesor gjatë kësaj periudhe si ministër ka qenë përmirësimi i sigurisë publike, duke u fokusuar në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, narkotikëve, terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, trafikimit me qenie njerëzore, forcimit të sigurisë në bashkësi dhe ngritjes së bashkëpunimit me komunitetet pa dallim.
Si rezultat i bashkimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme me ish Ministrinë e Administratës Publike, kemi hartuar rregulloren e re të organizmit të brendshëm, e cila do të përmirësojë dukshëm funksionimin e përgjithshëm të ministrisë, do të rritë efikasitetin, do të kursejë buxhetin, do të forcojë integritetin dhe transparencën, si dhe do të përmirësojë cilësinë e ofrimit të shërbimeve.
Policia e Kosovës është institucioni kryesor për sigurinë në vend. Duke qenë nën kupolën e ministrisë që drejtoni, na tregoni se cili ka qenë niveli i sigurisë gjatë gjithë vitit, marrë parasysh edhe situatën politike që e ka karakterizuar vendin.
Agim Veliu: Duke u bazuar në të gjitha raportet si të Policisë së Kosovës por edhe institucioneve ndërkombëtare, niveli i sigurisë në Kosovë ka qenë i lartë dhe nuk është karakterizuar me ndonjë rrezik apo sfidë që ka rrezikuar sigurinë publike apo kombëtare.
Për më shumë edhe në raportin e fundit të Institutit për Ekonomi dhe Paqe, Republika e Kosovës në Indeksin Global të Terrorizmit është renditur në vendin e 135-të si ndër vendet më të sigurta në botë ku ndikimi i terrorizmit është minimal.
A është venitur besueshmëria në Policinë e Kosovës apo është ngritur pas aksionit të Karaçevës ku dhjetëra policë u prangosën gjatë aksionit?
Agim Veliu: Policia e Kosovës vazhdon të mbetet një ndër institucionet më të besueshme në Republikën e Kosovës duke u bazuar edhe në raportet e besueshmërisë të publikuara nga organizatat e shoqërisë civile.
Policia e Kosovës ka vazhduar të jetë e përkushtuar në parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe njëkohësisht në vazhdimin e përmbushjes së të gjitha detyrave policore të parapara me Ligjin për Policinë, Planin Zhvillimor Strategjik 2016-2020 dhe Planin e Punës të Policisë për Vitin 2020.
Ç’pritet të ndodhë sa i përket aplikimit në INTERPOL – sa po punohet në lobim dhe sa janë gjasat për anëtarësim këtë herë duke ditur se herën e fundit është tërhequr aplikacioni dhe në seancën paraprake Kosova dështoi të pranohej?
Agim Veliu: Ministria e Punëve të Brendshme në koordinim me partnerët strategjik është duke përgatitur planin rreth aplikimit dhe lobimit në INTERPOL dhe është duke përcjellë me vëmendje zhvillimet në planin global për gjasat dhe veprimet që duhet të ndërmerren gjatë kësaj kohe.
MPB do të themelojë një grup të veçantë punues në bashkëpunim edhe me MPJ që për detyrë do të kenë koordinimin dhe përgatitjen e aplikimit në INTERPOL.
Keni qenë ministër i MPB-së, edhe në Qeverinë Kurti edhe në Qeverinë Hoti, na thoni se në cilën prej këtyre dy periudhave keni qenë më efikas si ministri por edhe personalisht ju?
Agim Veliu: Mund të them se efikasiteti nuk më ka munguar në asnjërën periudhë.
Atëherë, cilën periudhë e konsideroni më të suksesshme?
Agim Veliu: Periudhën e Qeverisë Hoti e konsideroj më të suksesshme pasi janë marrë vendime të shumta për shkak se ka qenë një gjuhë bashkëpunimi dhe koordinimi shumë më e mirë dhe nuk ka pas pengesa e neglizhime të kërkesave siç ka ndodh në periudhën e parë, që tashmë mund të jenë të ditura për shkak të potencimeve të mia. Kështu që padyshim, periudhën aktuale të Qeverisë Hoti e konsideroj më të suksesshme.
Ju jeni nënkryetari i parë i LDK-së, dhe padyshim se nuk mund t’i anashkalojmë zhvillimet partiake në këtë intervistë. Ç’vlerësim keni për bashkëpunimin që patët me Lëvizjen Vetëvendosje, a i ka shërbyer LDK-së, apo e ka dëmtuar?
Agim Veliu: Ju tashmë qëndrimin tim për këtë çështje si nënkryetar i LDK-së e dini. Unë edhe sot mendoj të njëjtën gjë, që në mënyrën dhe formën se si dëshironte të qeveriste VV-ja dhe të bëhej koalicioni normalisht se nuk i kishte shërbyer LDK-së dhe e kishte dëmtuar atë.
E gjithë puna ime dhe angazhimi im gjatë asaj periudhe ka qenë dhe është bërë për të vetmin qëllim që LDK-ja të trajtohet dinjitetshëm.
I bujshëm ka qenë shkarkimi i Vjosa Osmanit nga pozitat drejtuese në parti. Pse LDK nuk ndërmori asgjë që ta largojë edhe nga pozita e Kryetares së Kuvendit, pasi që ka qenë propozimi i partisë për atë pozitë?
Agim Veliu: Pozita e Kryetares së Kuvendit ka buruar nga një marrëveshje politike që në atë kohë ka qenë në raport me Lëvizjen Vetëvendosje dhe ne për të qenë pushteti i balancuar kemi insistuar që pozicioni i Kryetarit të Kuvendit t’i takojë LDK-së. Si rrjedhojë e saj, LDK ka dhënë emrin e saj për këtë pozitë dhe duke pas parasysh që propozimi për këtë pozicion i takon partisë së parë mbas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese jemi pas dakorduar që të bëhet ky propozim.
Si e vlerësoni punën e saj qoftë si Kryetare e Kuvendit, qoftë si u.d. e Presidentit dhe a do të ishte e pranueshme për LDK-në si një kandidate konsensuale për presidente të vendit?
Agim Veliu: Sa i përket vlerësimit të punës së saj, jeni dëshmitarë edhe ju dhe nuk do koment sjellja e saj dhe as nuk mund të jetë konsensuale për pozitën e presidentit një person që me tërë forcën e saj e në kohë të vazhdueshme e ka sulmuar pareshtur LDK-në, andaj është e pakuptimtë që për LDK-në të jetë kandidate konsensuale, këtu vetëm konsensualitet nuk ka dhe nuk shoh.
Unë mendoj se ajo është recidive dhe me të njëjtin zell do të vazhdojë të sulmojë LDK-në, përherë.
Togfjalëshi i Albin Kurtit për ju “ti mundesh, por pastaj s’mundesh se shkarkohesh” dhe revanshi që ia bëtë pastaj ju “edhe kur të tjerët mendojnë se s’mundesh, ti mundesh” na vinë në mendje. A ka përfunduar me kaq beteja mes juve, apo duke qenë politikanë beteja do të vazhdojë për sa të keni dallime politike?
Agim Veliu: Beteja do të vazhdojë për deri sa të kemi dallime politike, e dallime do të kemi gjithë kohën, unë e shoh politikën dhe betejën e politikës ndryshe nga personi në fjalë.
Përderisa unë jam pjesë e një partie politike të qendrës së djathtë, me kulturë dhe vlera politike, parti që ka synime dhe drejtime të qarta euro-atlantike, respektim të kundërshtarit dhe mendimit ndryshe, ai përfaqëson një parti ekstreme të majtë e cila për qëllim ka vetëm popullzimin, prandaj në këtë aspekt politik ne kemi dallimet tona për të cilat nuk pajtohemi.
Më 3 nëntor LDK ka humbur një prej bastioneve më të mëdha të saj, Podujevën. Atë natë keni dalë që ta pranoni humbjen menjëherë, që ishte hera e parë që po ndodhte në Kosovën e pasluftës për Degën e LDK-së atje. Sa e patët vështirë që t’ia “dorëzoni” Vetëvendosjes komunën dhe a besoni se mund ta riktheni përsëri vitin tjetër?
Agim Veliu: Rikthimi i LDK-së në Podujevë nuk ka alternative. Ne kemi qenë bastion i LDK-së dhe padyshim do vazhdojmë të jemi bastion në Podujevë. Ne gjithmonë si LDK kemi ditë të lexojmë rezultatet dhe t’i pranojmë ato. Këtu mund të them se ky është edhe një element i rëndësishëm i fituesit.
Ne do të punojmë shumë që gabimet tona atje t’i gjejmë, të kontaktojmë dhe të takohemi me gjithë qytetarët llapjanë dhe në tetor të vitit 2021 të rikthehemi fuqishëm, megjithëse këtu ka qenë një garë e të gjitha partive politike kundër LDK-së. E rëndësishme është që LDK në Podujevë ka arritur të ruajë votën e saj dhe do të vazhdojë të qeverisë me komunën përsëri në vitin 2021.
Zgjedhjet e reja në nivel vendi vetëm sa nuk janë caktuar. Ku besoni se do të renditet LDK?
Agim Veliu: Ne tashmë jemi në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale. LDK-ja gjithmonë ka qenë dhe është e gatshme për zgjedhje dhe në çdo garë hyn për të fituar.
Në këto zgjedhje padyshim se ajo do të renditet e para, jo pse këtë po e them unë, por qytetarët e Republikës së Kosovës janë dëshmitarë të punës dhe angazhimit që LDK-ja ka bërë gjatë qeverisjes së saj dhe sukseseve që janë shënuar gjatë kësaj kohe./Klan Kosova/