Deputeti i LDK-së, Agim Veliu, ka reaguar pasi Ekrem Hyseni është zgjedhur kryetar i LDK-së në Podujevë.
Veliu ka akuzuar strukturën se po e shkatërron degën e LDK-së atje. Ka shtuar se duke shkelur mbi statutin e partisë, kanë mbledhur Kuvendin e degës.
“Ata që vitin e kaluar i dhanë goditjen e parë degës së LDK-së në Podujevë, duke e zhveshur nga kompetenca kryetarin dhe kryesinë e degës, po vazhdojnë misionin e tyre të shkatërrimit të degës. Të njëjtit, në krye me kryetarin e partisë Lumir Abdixhiku, sërish duke shkelur mbi statutin e LDK-së, qenkan mobilizuar gjatë natës dhe në mënyrë klandestine paskan thirrur një Kuvend të jashtëzakonshëm të degës në Podujevë”, ka shkruar Veliu në Facebook.
Veliu e ka quajtur mbledhjen një “farsë”, në të cilën nuk ka marrë pjesë. Sipas tij, kryetari i partisë me anëtarë të tjerë po e shkatërrojnë bastionin e fundit të LDK-së.
“Duke qenë se kuvendi i sotëm është kundërstatutar dhe i paligjshëm, të dashur veprimtarë dhe anëtarë të LDK-së, ju njoftoj se nuk do të marr pjesë në një farsë të tillë, ku do të tentohet të kontrabandohet një kryetar i ri, që nuk është as pjesë e strukturave të degës sonë. Kjo që po bën Abdixhiku, me misionarët anti LDK të mbledhur rreth vetes, nuk është asgjë tjetër veçse një proces i shkatërrimit të degës në Podujevë, bastionit të fundit të LDK-së”, shkroi Veliu.