Një fëmijë ka vdekur në orët e para të së dielës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi të shtunën pasdite ishte goditur nga një veturë, në fshatin Korishë të Prizrenit.
Sipas njoftimit të policisë të dielën, deri te aksidenti ka ardhur kur vetura ka goditur një biçikletë në të cilën ndodheshin dy fëmijë, dhe njëri prej tyre nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
“Ka ndodhur një aksident trafiku ku të përfshirë kanë qenë një automjet me targa vendore me drejtues mashkull kosovar dhe një biçiklete me drejtues një fëmijë i cili ka qenë i shoqëruar me një fëmijë tjetër në cilësinë e pasagjerit. Si pasojë e aksidentit të dy fëmijët-viktimat meshkuj kosovarë kanë pësuar lëndime trupore. Njëri prej tyre është hospitalizuar në Repartin Ortopedik në Prizren, ndërsa tjetri është transferuar në QKUK . Më datë 25.08.2024-01:28 viktima e cila ka qenë në trajtim mjekësor në QKUK ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.
I dyshuari për aksidentin është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit kujdestar, ndërsa trupi i pa jetë është dërguar në IML për autopsi.