Profesori dhe dramaturgu, Haqif Mulliqi, ka vdekur të martën, ka njoftuar në Facebook vajza e tij, Getoarba. Ajo ka shkruar se për detajet e ceremonisë së varrimit do të njoftojë më vonë.
“Babi na la. Dashnisë tonë ma të madhe iu ndalën dhimbjet, për me na fillu neve dhimbja e përjetshme. Për detajet e ceremonisë ju njoftojmë më vonë”, ka shkruar ajo.
Mulliqi, profesor, dramaturg e gazetar, u lind në Pejë në vitin 1960.
Për vdekjen e tij, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shkruar telegram ngushëllimi, duke thënë se Mulliqi kishte dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në raportime gjatë luftës (1998-1999) në Kosovë.
Biografia:
Lindi në Pejë, ku kreu shkollimin fillor kurse atë të mesëm në Prishtinë. Mbaroi studimet për dramaturgji në vitin 2000, në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, ndërsa në Tiranë mbrojti disertacionin e doktoratës në fushën e shkencave të antropologjisë së dramës dhe të teatrit.
Botoi një sërë dramash të cilat i janë vënë në skenë në teatrot e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë etj.
Në Teatrin Kombëtar të Kosovës janë vënë në skenë tekstet e tij: “Alo 1991”, “Trenat”, “Komedia”, “Ruleti ballkanik”, “Një varr për majorin e mbretit”, kurse në Teatrin e Gjakovës janë dhenë premierë këto tekste të tij dramatike: “Çdo gjë është e mundshme”, “Parfumeria”, “Një varr për majorin e mbretit”, “Gjakova, një luftë ndryshe”, “Kaos atdhedashurie në Paris” etj. Në Teatrin e Qytetit të Prishtinës “Dodona”, janë realizuar tekstet: “Katër epoletat”, “Parfumeria”, “Një përkujtim në kafe teatër”.
Ndërkaq në skenat e teatrove të Tiranës janë realizuar dramat: “Parfumeria”, “Si e mposhta Musolinin”, “Vejanët”, “Unë, Mirjam dhe Sandri”, “Show Time”.
Në vitin 2002 themeloi Teatrin Alternativ “Kosova”, në të cilin inskenoi dramat e tij “The Kosowars”, “Komemorativisht”, “Komedia apo marrëzia njerëzore” dhe “Parfumeria”.
Për disa nga tekstet ka bërë vetë regjinë e shfaqjeve.
Ishte pjesëmarrës dhe fitues i çmimeve në disa festivale. Me shfaqjen “Ali Hoxha Hoxhë Alia” fitoi çmimin për tekstin dhe regjinë më të mirë në Festivalin e Teatrove në Mostar (Bosnjë dhe Hercegovinë, 1986), ndërsa me shfaqjen “Kosowars” fitoi çmimin “First of the first” në Edinburgh Fringe (2004), si dhe çmimin për shfaqjen më të mirë në Bienalen e Festivalit Evropian të Teatrove në Braila (Rumani, 2006), ndërsa me shfaqjen “Një përkujtim në kafe teatër” fitoi çmimin si shfaqja më e mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove në Vratza (Bullgari, 2011).
Ishte autor i dhjetëra shkrimeve me karakter diskursiv për dramën, teatrin dhe fenomenet kulturologjike në përgjithësi.
Ishte mësimdhënës i dramaturgjisë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës.