Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton se sot rreth orës 05:45 në Spitalin Rajonal të Pejës, ka ndërruar jetë një i burgosur.
Bëhet fjalë për të burgosurin me inicialet M. C, i lindur në vitin 1948.
72 vjeçari gjatë qëndrimit të tij në Qendrën Korrektuese Dubravë për një kohë të gjatë kishte probleme psikiatrike dhe ishte trajtuar me terapi përkatëse.
“Nga data 06.12.2020 me rekomandim të mjekut të Q.K Dubravë është hospitalizuar në Repartin Psikiatrik të Spitalit Rajonal të Pejës, ku përkundër ofrimit të ndihmës mjekësore, i njëjti ka ndërruar jetë”, njofton Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Sipas SHKK-së, i ndjeri gjatë qëndrimit të tij në Repartin Psikiatrik të Spitalit Rajonal të Pejës, M. C, me datë 10.12.2020 ishte testuar për COVID- 19, me ç‘rast kishte rezultuar pozitiv.
Organet kompetente janë duke i zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të verifikoi shkakun e vdekjes.