Ka vdekur të dielën në mëngjes në moshën 75-vjeçare legjenda e futbollit Gerd Mueller.
Lajmin e ka bërë të ditur klubi i madh gjerman Bayern Muenchen, ku ka zhvilluar vitet më të ndritshme të karrierës Mueller.
“FC Bayern mban zi për Gerd Muellerin. Sot bota e FC Bayernit qëndron heshtur. Klubi rekord gjerman dhe gjithë tifozët e saj mbajnë zi për Gerd Muellerin, që ka vdekur në mëngjesin e të dielës në moshën 75-vjeçare”, thuhet në njoftimin e Bayernit.
Mueller gjatë 427 ndeshjeve në Bundesligë për Bayernin kishte shënuar 365 gola dhe kishte asistuar 101 tjerë. Në total për Bayernin ai realizoi 566 gola në 607 ndeshje.
Me Bayernin ka fituar Kupën Interkontinentale, tri herë Kupën e Evropës dhe një herë Kupën e Fituesve të Kupave. Ai kishte fituar katër herë Bundesligën dhe katër herë Kupën e Gjermanisë me klubin bavarez.
“Sot është një ditë e trishtueshme dhe e zezë për FC Bayernin dhe gjithë tifozët. Gerd Mueller ishte sulmuesi më i mirë që ka ekzistuar ndonjëherë dhe një njeri i mirë, një personalitet i botës së futbollit. Në këtë ditë të rëndë jemi përkrah bashkëshortes së tij Uschit dhe familjes së tij. FC Bayerni pa Gerd Muellerin nuk do të ishte klubi që është sot, klubi të cilin e duam gjithë. Emri i tij dhe kujtimi i tij do të jetojë përgjithmonë”, ka thënë presidenti i Bayernit, Herbert Hainer.
Gerd Mueller në stinorin 1971/72 kishte shënuar 40 gola në Bundesligë. Rekordi i tij qëndroi për 49 vjet, para se të thyhej edicionin e kaluar nga Robert Lewandowski që realizoi 41 gola.
Me përfaqësuesen e Gjermanisë Perëndimore ai fitoi në vitin 1972 titullin e Evropës dhe në vitin 1974 titullin e botës.
Në 62 ndeshje me përfaqësuese shënoi 68 gola. Golin më të rëndësishëm e shënoi në finale të Botërorit 1974 në Mynih që Gjermania e fitoi 2:1 ndaj Holandës. Ai realizoi golin vendimtar në minutën e 43-të.
Muelleri ishte një sulmues klasik. Lëvizja e tij klasike ishte kthimi i shpejt në një hapësirë të ngushtë.
Në vitin 2015, Bayerni kishte njoftuar se Gerd Mueller vuan nga sëmundja e Alzheimerit.