Ka vdekur i mbijetuari i masakrës së Pastasellës dhe dëshmitar i Hagës, Beqir Krasniqi. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Rahovecit Smajl Latifi.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen e njeriut të mirë e të respektuar, Beqir Krasniqit nga fshati Pastasellë, i mbijetuari i masakrës së Pastasellës dhe dëshmitari i Tribunalit të Hagës. Në ditën kur forcat barbare serbe ekzekutuan dhe masakruan 106 qytetarë shqiptarë në fshatin Pastasellë, bacën Beqir, vetëm një fije e hollë e ndante nga vdekja, por, për fatin e tij të mirë, shpëtoi për t’u bërë rrëfimtar dhe dëshmitar i gjallë i atij tmerri”, ka shkruar Latifi në Facebook.
Ai i ka shprehur ngushëllime familjes Beqiri.
“Nga dita në ditë po shuhen gjurmët e gjalla të gjenocidit serb mbi popullin shqiptar. U përulemi me nderim të veçantë veprës dhe kontributit jetësor të Beqir Krasniqit! Ngushëllime familjes Krasniqi! Qoftë i paharruar kujtimi për bacën Beqir e shpirti i tij pushoftë në paqe!”, ka shkruar ai.
Masakra e Pastaslellës ka ndoshur më 31 mars të vitit 1999 dhe në të janë vrarë 106 persona të këtij fshati dhe fshatrave përreth.