Një 26-vjeçar ka humbur jetën të dielën derisa po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi një ditë më parë është therur me thikë në Prizren.
Policia e Kosovës i ka thënë KOHËS se viktima A.TH. po trajtohej në repartin intensiv të QKUK-së, e ai dyshohet se ishte therur dhe më pas ishte hedhur në rrugë nga një veturë në lagjen “Bazhderhane” nga persona të panjohur.
Për rastin është arrestuar një person.
“Më datë 06.07.2024 rreth orës 23:55 është raportuar që në lagjen ‘Bazhderhane’ në Prizren është një person i shtrirë në tokë. Patrulla policore i është përgjigjur rastit ku është kuptuar që viktima ishte therur me thikë. Është njoftuar urgjenca e qytetit, të njëjtin e kanë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit për trajtim mjekësor, e më pas për shkak të gjendjes së rëndë i lënduari është dërguar në QKUK në Prishtinë. Nga informatat e para dyshohet se viktima është hedhur në rrugë nga një automjet nga persona të panjohur. Sot më datë 07.07.2024 rreth orës 21:00 nga reparti i intensives i QKUK-së, Policia është njoftuar se viktima A.TH., mashkull, 26-vjeçar ka ndërruar jetë”, ka njoftuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.