Vazhdon rënia e rublës ruse, humb mbi 30% të vlerës

Rubla ruse ka rënë në nivele të reja ndaj dollarit dhe euros sot, duke humbur mbi një të tretën e vlerës së saj deri më tani këtë vit.

Monedha ruse këmbehej me 131.25 për dollar dhe 143.3 për euro gjatë mëngjesit të së hënës.

Rënia vjen pasi më shumë biznese ndërkombëtare thonë se po tërhiqen nga Rusia për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Të hënën, gjigandi finlandez i grupit ushqimor Valio tha se po largohej nga tregu rus, ndërsa firmat e kontabilitetit, PwC-ja dhe KPMG-ja njoftuan gjithashtu gjatë fundjavës se po ndalonin operacionet e tyre në Rusi, mes një eksodi të kompanive perëndimore nga vendi, raporton The Guardian.

“Ne dënojmë fuqishëm pushtimin e Rusisë në Ukrainën e pavarur”, tha presidentja dhe drejtoresha ekzekutive e Valios, Annikka Hurme.

Gjatë kësaj kohe edhe shumë marka të tjera ndërkombëtare, duke përfshirë Toyotan, Hondan, Niken, Applen, Exxon, Fordin, Netflixin dhe Ikean thanë se po ndalonin punën e tyre në Rusi.