Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot, e martë, do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Gjykimi do të vazhdojë me dëshminë e dëshmitarit tjetër të Prokurorisë.
Një ditë më parë, në dëshminë e tij, ish-pjesëtari i LDK-së, Imer Imeri, ka thënë se gjatë kohës së luftës ishte ndaluar e keqtrajtuar në Kosovë dhe Shqipëri, sipas tij, prej pjesëtarëve të UÇK-së. Ai ka thënë se ajo që e ka shtyrë të dëshmojë në këtë gjykim ishte padrejtësia që ndien për vrasjen e vëllait Haki Imeri dhe moszbardhjen e rastit.
Në këtë rast ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes Rexhep Selimi, akuzohen lidhur me ndërmarrje të përbashkët kriminale, lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.
Shumica e viktimave, sipas ZPS-së janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre.
Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të qartë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë, e jo civilët.