Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) vazhdon sot në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në këtë seancë pritet të dëshmojë Fadil Geci, ish-anëtar i UÇK-së, i cili do të japë dëshminë e tij lidhur me akuzat që i janë ngritur Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
Geci do të përballet me pyetje të ndryshme që lidhen me komunikatën 59, e cila përfshin informacione të rëndësishme mbi operacionet e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar të hënën ka dhënë deklaratën hyrëse në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Prokuroria paraqiti disa komunikata, në mesin e tyre edhe komunikata e 59-të.
Sipas Prokurorisë këto vërtetojnë se Shtabi i Përgjithshëm ndoqi një politikë të shënjestrimit të kundërshtarëve.
Për komunikatën numër 59 kishte folur në muajin prill, 2023 edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës, Marigona Geci, e cila është vajza e Gani Gecit.
Kujtojmë se të enjten e ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i 88-të në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Dëshmia e këtij dëshmitari u dëgjua e gjitha në sesion privat për publikun, duke përfshirë edhe kundër-pyetjet e mbrojtjes.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.