Në Gjykatën Speciale në Hagë këtë të mërkurë do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i njohur si rasti “Thaçi dhe të tjerët”.
Ky proces gjyqësor pritet të zhvillohet me fillim nga ora 09:00 dhe të zgjasë deri në ora 16:30.
Ndryshe, të hënën, Specialja nuk ia lejoi Krasniqit ta bartë kollaren me shqiponjë, e të cilën e kishte bartur edhe në seanca të mëhershme. Në seancë u ngrit kjo çështje nga avokatja e Krasniqit, por kërkesa nuk iu adresua publikisht.
Gjykata Speciale të martën ka reaguar për heqjen e kollares së Jakup Krasniqit para seancës gjyqësore të hënën, duke thënë se ka pasur dyshime nëse veshja e të akuzuarit është sipas rregullave të paraburgimit.
Specialja ka treguar se shefi i paraburgimit i ka konfirmuar se kollarja është e lejuar dhe pasdite ia kanë kthyer Krasniqit.
“Dhomat e Specializuara dëshirojnë të bëjnë një sqarim për ngjarjen e djeshme në lidhje me Krasniqin. Para seancës së djeshme, sigurimi i Speciales i kërkoi Krasniqit ta hiqte kollaren, duke kërkuar sqarime nga shefi i paraburgimit nëse rregullat e paraburgimit që ndalojnë veshje të caktuara do të zbatoheshin në këtë rast. Krasniqit i është kthyer kollarja dje pasdite dhe shefi i paraburgimit ka konfirmuar se bartja e kollares është e lejuar”, thuhet në reagimin e Speciales.
E për këtë ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ku ka kërkuar nga kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova që të marrë veprime për të adresuar rastin. Në një letër drejtuar Trendafilovës, Haxhiu e ka cilësuar akt absurd kërkesën për heqjen e kollares.
“Përmes kësaj letre, ju shkruaj lidhur me situatën e fundit që ka ndodhur në seancën gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës. Sipas informatave që kemi pranuar, para se z. Jakup Krasniqi të hynte në sallën ku mbahen seancat gjyqësore, iu është larguar kollarja që mbante veshur, pa asnjë arsye dhe pa asnjë justifikim. Madje kur kjo është ngritur si shqetësim nga avokatja, e njëjta ka marrë përgjigjen nga gjyqtari Charles Smith se ai nuk ka informacione dhe që do të interesohet për këtë. Ky veprim ka shkaktuar shqetësim të thellë dhe indinjatë në opinionin publik të Kosovës”, thuhet në letrën e Haxhiut drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara.