Në Gjykatën Speciale në Hagë këtë të hënë do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i njohur si rasti “Thaçi dhe të tjerët”.
Ky proces gjyqësor pritet të zhvillohet me fillim nga ora 09:00 dhe të zgjasë deri në ora 16:30.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thirrur për dëshmi dëshmitarin tjetër në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë.
Sipas njoftimit të ZPS-së, ky dëshmitar ka përkrahur Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ndërkaq, dëshmitari Bsilimi Zyrapi ende nuk e ka përfunduar dëshminë e tij dhe do të vazhdojë të hënën e 8 korrikut.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.