Vazhdon dëgjimi i dëshmitares së parë në Hagë në seancë të mbyllur

Të enjten në Gjykatën Speciale në Hagë, në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është duke vazhduar dëshminë e saj dëshmitarja e parë.

Me kërkesë të prokurorit të ZPS-së, seanca e dëgjimit të dëshmitares është mbyllur për publikun.

Ndryshe, të mërkurën e të martën, dëshmitarja e parë në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka vazhduar dhënien e dëshmisë, duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes.

Po ashtu dëshmitarja është përgjigjur pyetjeve të ZPS-së, e që po ashtu ka qenë seancë e mbyllur.

Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, filloi më tre prill të këtij viti.

Ata po qëndrojnë në paraburgim që prej nëntorit të vitit 2020.

Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë mbi ta, siç janë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.