Prokuroria e Ferizajt së bashku me Policinë e Kosovës janë duke vazhduar aksionin “Brezovica”.
Aksioni ka nisur mëngjesin e sotëm, ndërsa janë duke u bastisur disa lokacione.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.
“Po mund të ju konfirmoj se është duke vazhduar aksioni”, tha shkurtimisht ai.
Ndryshe, më 21 dhjetor të vitit të kaluar, Policia e Kosovës se bashku me Prokurorinë Themelore të Ferizajt kanë nisur aksionin “Brezovica”, ku deri tani nën pranga janë vënë rreth 30 persona, përfshirë këtu ish kryetarin e komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, zyrtarë tjerë të kësaj komune, e po ashtu zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës, nën pranga u vënë edhe pronar të kompanive të ndryshme ndërtimore.
Prokuroria Themelore e Ferizajt ka njoftuar se personat që janë arrestuar dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit.
Aksioni “Brezovica” kishte filluar më 21 dhjetor të vitit 2021, ku nga aksioni i parë rezultuan të arrestuar 10 persona, në mesin e tyre ishte edhe ish kryetari i Komunës së Shtërpcës Bratislav Nikoliq dhe nëntë zyrtarë tjerë të kësaj komune.
Për ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, Prokuroria kishte njoftuar se dyshon se ka përfituar 1 milion euro nga dhënia e lejeve për ndërtim të vilave në zonën e Brezovicës.
Në aksionin e 21 dhjetorit ishin bastisur 10 lokacione në regjionin e Ferizajt, Prishtinës dhe në Shtërpcë, ku janë sekuestruar para, armë, vetura si dhe disa dokumentacione.
Pas arrestimit, Gjykata Themelore në Ferizaj e ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për dhjetë personat e arrestuar më 21 dhjetor në rastin ‘Brezovica’.