Edhe pse Ministria e Ekonomisë, kishte njoftuar se është kthyer furnizimi i rregullt me energji elektrike, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, tha se edhe sot do të vazhdojnë kufizimet e rrymës.
Buzhala tha se reduktimet po bëhen për shkak se furnizimi është duke u bazuar nga prodhimi vendor dhe nuk ka mjete për të blerë energji elektrike në tregjet ndërkombëtare.
Zëdhënësi i KEDS deklaroi se duhet të aplikohet alternativa e kursimit të energjisë.
“Ishtë planifikuar që të jepen 90 milionë euro, por ato para asnjëherë nuk janë dhënë dhe kjo e ka zhytur systemin elektroenergjetik në kolaps”, tha Buzhala për Express.
Njëjtë si ministrja Rizvanolli, edhe Buzhala tha se ky dimër do të jetë i ‘rëndë për të gjithë Evropën’.
“Reduktimet do të vazhdojnë deri në ndryshimin e parametrave. Çmimet për megavat janë rritur”, tha ai.