Varroset 7-vjeçarja që u godit për vdekje nga skafi në Himarë

Është përcjellë për në banesën e fundit 7-vjeçarja Jonada Avdia, e cila u vra dje nga një skaf që drejtohej nga polici Arjan Tase.

Familja hapi dyert e mortit në banesën e tyre në Laprakë ku qindra njerëz shkuan për të dhënë ngushëllimet e tyre. Një autoambulancë ka mbërritur pranë familjarëve në rast emergjence për shkak të situatës së rëndë.

Më herët, AMP ka dhënë detaje për ngjarjen e rëndë që ndodhi ditën e djeshme në plazhin e Potamit në Himarë kur komisari Arjan Tase përplasi për vdekje 7-vjeçaren Jonada Avdiu. Ish efektivi futi gomonen në hapësirën e rrethuar për pushuesit me bova plastike. Pasi zbarkoi në breg familjarët e tjerë në bord, kreu manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur.

Nga këto manovrime të pakujdesshme, 15 metra larg bregut, ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues, Jonada Avdiun duke i shkaktuar plagë të rënda që kanë sjellë humbjen e menjëhershme të jetës. Tase akuzohet për veprën penale të “Vrasjes së kryer nga pakujdesia”, e cila në nenin 85 të kodit penal parashikon gjobë ose maksimumin e dënimit deri në 5 vite burg, shkruan abcnews.al.