Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për të ecur drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Pas takimit me Komisionerin Evropian për Zgjerim, Olivier Varhelyi, Osmani ka shtuar se po punohet përditë që Kosova t’i afrohet këtij qëllimi.
“Përkushtimi për ta ofruar vendin tonë në BE mbetet i palëkundur. Aplikimi për anëtarësim është rikonfirmim i kësaj. Kosova po e forcon çdo ditë sundimin e rendit e ligjit duke u koordinuar me BE-në. Kosova vazhdon të qëndrojë përkrahë aleatëve për ta mbrojtur demokracinë e vlerat qe na bashkojnë. Angazhimi ynë për ta forcuar policinë dhe për ta ngritur profesionalizmin janë prioritet për institucionet tona sepse është gjëja më e duhur për qytetarët tanë. Siç e dini pas vonesave të gjata dhe të padrejta nga 1 janari i vitit të ardhshëm Kosova do të jetë më afër BE-së, me liberalizimin e vizave”, ka thënë Osmani.
Kurse, komisioneri Varhelyi ka thënë se nga Kosova vjen gjithmonë mesazhi i qartë i përkushtimit drejt BE-së.
Ai ka përmendur pak edhe dialogun, duke thënë se palët duhet t’i zbatojnë marrëveshjet e dakorduara.
“Qëllimi i vizitës nuk është t’ua përkujtoj, por të gjitha palët duhet t’i zbatojnë marrëveshjet që janë dakorduar, përfshirë ato të vitit 2013 e 2015 për themelimin e Asociacionit”.
Varhelyi ka shtuar se reformat duhet të vazhdojnë dhe të zbatohen.
“Nëse ka një mesazh të qartë që vjen gjithmonë nga Prishtina dhe Kosova është se shumë e përkushtuar sa i përket përafrimit me BE-në. Keni treguar angazhim dhe mbështetje në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Diskutuam çështjen e reformave, dhe të arriturat në gjashtë vitet e fundit. Reformat duhet të jenë të vazhdueshme dhe të zbatueshme, duhet një regjistër i tyre. Mirëpresim angazhimin e qeverisë për përmirësimin e sistemit të drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit. Duhet luftimi i nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kosova është në fazë të hershme sa i përket adresimit të këtyre çështjeve. Kosova është vend strategjik për tërheqjen e bizneseve por për këtë duhet krijuar kushtet e volitshme. Po ashtu dhuna ndaj mediave e presionet duhet të ndalen”.