Vala me probleme: Sot në mëngjes për arsye të vjetërsisë së pajisjeve pati rënie të telefonisë mobile

Përdoruesit e telefonisë moblie “Vala” janë duke u përballur me probleme. Ata nuk po mund të realizojnë asnjë thirrje në këtë operatorë.

Nga Telekomi i Kosovës kanë njoftuar se ky problem ka ndodhur për arsye të pajisjeve që thuhet se janë vjetërsuar.

“Sot në mëngjes, në orën 8:48 minuta, për arsye të vjetërsisë së pajisjeve, të cilat edhe ashtu sipas planit do të ndërrohen shumë shpejt, pati një rënie të përgjithshme të shërbimeve të telefonisë mobile në tërë vendin. Ekipet teknike po punojnë që shpejt ta sanojnë gjendjen dhe të rikthejnë shërbimet”, thuhet në njoftimin e Telekomit të Kosovës.

Telekomi tutje u ka kërkuar ndjesë konsumatorëve, për shqetësimin e arsyeshëm.

“Ju njoftojmë se këto pajisje do të ndërrohen shumë shpejt dhe qytetarët do të kenë shërbime të nivelit evropian, falë teknologjisë së fjalës së fundit që e kemi instaluar në disa pjesë të Kosovës dhe të cilën do ta instalojmë së shpejti në tërë vendin, kur të gjitha shërbimet të zhvendosen në platformat e reja!”, thuhet në njoftim.