Uthulla e mirë për luftimin e simptomave të depresionit

Uthulla, veçanërisht ajo e mollës, është përdorur për shumë shekuj si mjet shtëpiak për trajtime dhe në gatim. Tani, një studim i ri sugjeron se uthulla mund të ndihmojë edhe në lehtësimin e simptomave të depresionit.

Earth” ka shkruar se studimi i udhëhequr nga dietologia Haley Barrong në Universitetin e Arizonës ka zbuluar se konsumimi i përditshëm i uthullës mund të përmirësojë humorin, sidomos tek individët që kanë simptoma të lehta të depresionit. Studimi përfshiu 28 të rritur që kishin mbipeshë.

Ata u ndanë në dy grupe: grupi që konsumoi dy lugë gjelle uthull dy herë në ditë, ndërsa tjetri mori një pilulë që përmbante sasi të vogël uthulle.

Grupi që konsumoi uthull pati përmirësim të dukshëm në simptomat e depresionit. Pjesëmarrësit që konsuamuan uthull çdo ditë, shënuan ulje të simptomave të depresionit prej 42%, krahasuar me ulje prej vetëm 18% te grupi që mori pilulën me uthull.

Një tjetër gjetje interesante ishte rritja e niveleve të vitaminës B3 (nicotinamid) në grupin që konsumoi uthull. Kjo vitaminë ka lidhje me efekte anti-inflamatore, që mund të ndihmojnë në përmirësimin e humorit.

“Të dhënat mbështesin idenë që konsumimi i përditshëm i uthullës mund të përmirësojë simptomat e depresionit dhe se ndryshimet në metabolizmin e vitaminës B3 mund të kontribuojnë në këtë përmirësim”, kanë deklaruar studiuesit.

Megjithatë, studiuesit gjithashtu kanë deklaruar se studime të mëtejshme janë të nevojshme për të konfirmuar ndikimin e uthullës në depresion, veçanërisht te popullata më e madhe ose te ata që kanë simptoma më të rënda. Ata gjithashtu kanë theksuar se uthulla mund të shërbejë si terapi ndihmëse për depresionin, përkrah trajtimeve tradicionale që shpesh mund të kenë efekte anësore.

Përfundimisht, ndonëse kërkimet janë ende në faza të hershme, ky studim hap mundësi për të konsideruar uthullën si një pjesë të trajtimeve të përditshme për përmirësimin e shëndetit mendor.

“Çrregullimet depresive janë më të zakonshmet në botë dhe duke qenë se medikamentet antidepresive mund të kenë efekte anësore të rënda, terapitë e thjeshta dhe efektive janë të nevojshme”, thuhet në deklaratën e studimit, i cili u publikua në revistën Nutrients.