“Ushtari i Rrugës”, që sot drejton PDK-në, Memli Krasniqi, në një rrëfim ndryshe

“Rruga, lirinë ma fali, jam Ushtar i Rrugës, hapin s’e ndali…”, ky është vargu i një kënge i cili që në leximin e parë sjellë në vëmendje Ritmin e Rrugës – grupin që la gjurmë në historinë e muzikës shqiptare më shumë se 25 vjet më parë.

Memli Krasniqi e Arbër Reçi, morën mikrofonat në dorë kur kjo muzikë ishte ende e panjohur në Kosovë, por këta dy djem, që në atë kohë ishin adoleshentë, arritën t’ua merrnin zemrat fansave.

“Ritmi i Rrugës” nxori disa albume, por kënga“Ushtari i Rrugës” dhe “Përjetësisht” shënuan sukses të jashtëzakonshëm, duke lënë shenja në Hip-Hopin shqiptar.

Fatkeqësisht, ky grup u pensionua para 15 vjetësh, por la pas vetes kujtime të paharruara tek adhuruesit gjithandej trojeve shqiptare.

Sot, në një profesion krejt tjetër, nën drejtimin e njërës ndër partive më të mëdha në Kosovë – PDK, ish-anëtari i “Ritmit të Rrugës”, njëkohësisht tekstshkrues, Memli Krasniqi, e kujton me nostalgji kohën kur bënte muzikë.

Në një rrëfim ekskluziv për Klankosova.tv, jashtë petkut politik, kreu i PDK-së, thotë se muzika është pjesë e identitetit të tij dhe një pjesë shumë e rëndësishme e jetës së tij.

Nga karriera muzikore, Krasniqi thotë se komunikimi i drejtpërdrejtë me publikun ishte gjithmonë pjesa më e mirë e muzikës, dhe zbuloi se nuk ka pasur arsye të veçantë të heqë dorë nga këndimi, por ka qenë një ndryshim i natyrshëm i prioriteteve.

“Nuk ka pasur ndonjë arsye të veçantë, por thjeshtë ka qenë një ndryshim i natyrshëm i prioriteteve. Në kohën kur e kam pasivizuar angazhimin tim në muzikë, unë kam qenë duke i kryer studimet postdiplomike në Angli, pastaj kam qenë i angazhuar politikisht me aktivitetet e mia në Partinë Demokratike të Kosovës dhe duke pasur kohë më pak për muzikë, gradualisht ky pasivizim është bërë final”, tha mes tjerash Krasniqi.

Më poshtë intervista e plotë ekskluzive e kryetarit të PDK-së, dikur rep-artist, për Klankosova.tv:

INTERVISTA E PLOTË:

Sa vjet saktë kanë kaluar që kur keni hequr dorë nga muzika?

Memli Krasniqi: Tashmë janë bërë më shumë se 15 vite prej kur i kam pasur performancat e fundit, ndërsa kanë kaluar 17 vite prej kur e kemi nxjerrë albumin e fundit si ‘Ritmi i Rrugës’.

A e mban mend paraqitjen/këngën e parë në kohën kur ishe pjesë e ‘Ritmi i Rrugës’?

Memli Krasniqi: Gjithsesi. Në fakt, paraqitja e parë e imja dhe e Arbërit ka qenë para se të quhemi ‘Ritmi i Rrugës’ dhe dëshira për të krijuar muzikë pastaj na ka bërë që ta marrim më seriozisht karrierën tonë. Dhe si ‘Ritmi i Rrugës’ këngën e parë e kemi incizuar në vitin 1995.

Çfarë kujtimesh të ka lënë ky emër?

Memli Krasniqi: Është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës sime dhe pa dyshim që është pjesë edhe e identitetit tim.

Nëse do ta kishe kthyer kohën mbrapa, a do të këndoje sërish, në grupin e njëjtë dhe me tekste të njëjta? Nëse jo – çka do të kishe bërë më ndryshe?

Memli Krasniqi: Unë besoj që prapë do e bëja gjënë e njëjtë, sepse mendoj që krijimtaria e ‘Ritmit të Rrugës’ ka qenë adekuate dhe e ndërlidhur me kontekstin e asaj kohe, e cila i ka komunikuar kohës në të cilën është krijuar.

A ka pasur arsye të veçantë se pse pate vendosur ta lësh muzikën?

Memli Krasniqi: Nuk ka pasur ndonjë arsye të veçantë, por thjeshtë ka qenë një ndryshim i natyrshëm i prioriteteve. Në kohën kur e kam pasivizuar angazhimin tim në muzikë, unë kam qenë duke i kryer studimet postdiplomike në Angli, pastaj kam qenë i angazhuar politikisht me aktivitetet e mia në Partinë Demokratike të Kosovës dhe duke pasur kohë më pak për muzikë, gradualisht ky pasivizim është bërë final.

Po të mos ishe në politikë, cilën moshë do e zgjedhje/shihje si ideale për t’u pensionuar nga karriera e rep-artistit?

Memli Krasniqi: Nuk e di. Nuk kam ndonjë përgjigje të saktë, meqenëse tashmë pensionimin nga muzika e kam bërë para 15 vitesh.

Pse pastaj zgjodhe politikën?

Memli Krasniqi: Nuk ka qenë politika një zgjedhje e imja si zëvendësim i muzikës, sepse unë jam marrë me politikë dhe kam qenë anëtar i PDK-së dhe zyrtar i saj edhe në kohën kur kam qenë aktiv në muzikë. Edhe muzika ka qenë për mua një pjesë e angazhimit tim dhe aktivitetit politik, sepse përmes krijimtarisë sonë dhe përmes teksteve tona, unë kam dhënë edhe atëherë mesazhe politike. Kështu që, nuk i kam parë asnjëherë si përjashtuese, por si komplementare.

Imazhi i një reperi në vitet e rinisë, pengesë apo lehtësim në rrugëtimin politik?

Memli Krasniqi: Nuk mendoj që kanë ndonjë ndërlidhje të drejtpërdrejtë. Shumë prej njerëzve që i kanë vlerësuar tekstet dhe mesazhet e ‘Ritmit të Rrugës’, unë besoj që më kanë mbështetur në politikë edhe në vitet pasuese.

Për çka ke më shumë nostalgji nga periudha e karrierës në muzikë?

Memli Krasniqi: Nuk ka diçka që do ta veçoja, por komunikimi i drejtpërdrejtë me publikun ka qenë gjithmonë pjesa më e mirë e muzikës.

A dëgjon sot muzikë, nëse po çfarë zhanri?

Memli Krasniqi: Gjithsesi. Platformën  ‘Spotify’ e kam aktive shumë herë dhe është ndoshta prej gjërave të para që e bëj në mëngjes, ndërsa zhanret janë të llojllojshme ashtu siç kanë qenë edhe në të kaluarën. Unë edhe kur kam bërë rep, nuk ka qenë domosdoshmërisht zhanri im më i preferuari, sepse kam dëgjuar dhe vazhdoj të dëgjoj zhanre të ndryshme.

A i njeh Memli të gjithë artistët shqiptarë dhe a ka shoqëri me dikë nga ta, përveç atyre me të cilët ke nisur muzikën kur ishe në ‘Ritmin e Rrugës’?

Memli Krasniqi: I njoh shumicën prej tyre dhe me shumë prej tyre vazhdoj të kem komunikim dhe shoqëri. Normalisht me disa prej artistëve që ende janë aktivë dhe kanë qenë aktivë edhe në kohën kur ne kemi bërë muzikë vazhdoj ta kem një raport më të afërt, por gjithsesi kam komunikim me shumë prej tyre dhe i përcjell edhe në punën që e bëjnë.

Çfarë mendimi ke sot për estradën shqiptare?

Memli Krasniqi: Unë mendoj që sot industria muzikore është zhvilluar shumë dhe ka një ndryshim drastik prej kohës kur ne jemi marrë me muzikë. Nuk po them që kjo është as më mirë, as më keq, vetëm se është ndryshe dhe në pajtim me zhvillimet e industrisë së muzikës edhe në vendet tjera.

Na e thuaj një emër të një artisti apo artisteje shqiptare të cilën e dëgjon më së shpeshti?

Memli Krasniqi: Të them të drejtën ka shumë të cilët i dëgjoj dhe kjo varion varësisht nga hitet dhe nga publikimet të cilat i kanë herë pas here, sepse i përcjell edhe përmes rrjeteve sociale shumë prej tyre. Andaj varet pak a shumë prej aktivitetit të tyre.

Për fund, a do të ktheheshe sërish në muzikë nëse nuk do të ishe politikan?

Memli Krasniqi: Në një formë ose tjetër, unë muzikën e kam shumë të rëndësishme edhe sot e kësaj dite, por nuk është se e shoh veten duke u marrë ndonjëherë aktivisht me muzikë, pavarësisht prej karrierës time politike.

https://youtube.com/watch?v=-9g69iq4vh4%3Ffeature%3Doembed

Pas shumë vjetësh anëtar i PDK-së, dikur edhe Ministër i Kulturës, Memli Krasniqi u zgjodh kryetar i kësaj partie më 3 korrik të këtij viti. Krasniqi u zgjodh në këtë pozitë me shumicë votash të delegatëve pjesëmarrës në Konventën zgjedhore të partisë.

“Gjatë rrugës për rikthimin e PDK-së aty ku e ka vendin në udhëheqjen e shtetit padyshim se do të kemi shumë sfida. Pa dyshim se do të kemi shumë pengesa dhe jam absolutisht i sigurt se nuk do të jetë fare e lehtë por unë e njoh shpirtin e partisë sonë të përbashkët. E njoh vullnetin që buron nga secili prej jush këtu dhe buron nga ata dhjetëra-mijëra anëtarë të partisë sonë. Duke u bazuar në këtë energji të pashtershme unë jam i sigurt se bashkë do t’ia dalim”, pati deklaruar Krasniqi në ditën kur u zgjodh kryetar i PDK-së, në njërën prej ditëve më të rëndësishme të karrierës së tij politike.