Ushtarët rusë të burgosur në Ukrainë: Putini na hodhi në luftë pa stërvitje

Ushtarët rusë që janë zënë rob lufte në Ukrainë thonë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i dërgoi ata të luftojnë në Ukrainë pa stërvitje, raporton “The Sun”.

Gazeta angleze ka intervistuar dy nga ushtarët rusë që po mbahen në kampet e të burgosurve të luftës në Ukrainë në qytetin Dnipro.

Të dy janë vizituar edhe nga anëtarët e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar për të shikuar nëse janë trajtuar sipas Konventës së Gjenevës. Te ta nuk vërehej ndonjë shenjë lëndimi, ndërsa thonë se kushtet në kamp janë të mira.

“The Sun” ka ndërruar emrat e ushtarëve që të mos rrezikohen.

Vadim ishte lansues i raketave kur konvoji i tij u godit nga forcat ukrainase në Kharkiv në ditën e tretë të luftës.

“Unë ika nga shpërthimi dhe pash kampionin para meje duke shpërthyer. Mendova se të gjithë kishin vdekur. Nuk ka gjasa që të ketë shpëtuar ndonjë. Kamioni prapa meje u godit dhe filloi zjarri. Po mbante armatim dhe e dija se do të shpërthente kështu që u desh të largohesha”, tha Vadim.

Ai zhagas shkoi te një dru anash rrugës dhe humbi ndjenjat.

Kur u këndell ai pa granatat ukrainase duke rënë afër tij. Ai arriti të fashonte këmbën e tij të majtë te kofsha, ku i ishte hapur një plagë nga copat e granatës.

Ai qëndroi më pas në një shtëpi të braktisur për dhjetë ditë, duke ngrënë biskota dhe ëmbëlsira që ishin lënë nga rojat që kishin ruajtur atje dhe po pinte ujë nga çeshmja.

Kur këmba e tij ishte mjaftueshëm e fortë për të ikur ai eci nëpërmjet pyjeve deri te qyteti ku arriti te një bllok i apartamenteve që ishte bombarduar. Në një banesë ishte frigoriferi plotë ushqim dhe qëndroi aty. Pas tri ditëve ai pa një patrullë ukrainase dhe vendosi të dorëzohej.

“Unë zbrita poshtë shkallëve dhe eca ngadalë me duar prapa kokës. Po mendoja, ‘po të ishte një snajperist do të mbaronte çdo gjë’. Dëgjova zhurmën ndal dhe u ula në gjunjë, shumë ngadalë. Më thanë të ulesha e më bënë disa pyetje. Më pas thirrën një njësit tjetër dhe më morën. Fillimisht më dërguan në një vend më pas në tjetrin”, thotë Vadim.

Ai tregon se i ishte bashkuar ushtrisë gjashtë vjet më parë për para. Ai fitoi afro 650 funte në muaj.

“Tash kam dy opsione. Të qëndroj këtu në burg apo të qëndroj në burg në Rusi për shkak asaj që kam thënë për Ushtrinë ruse. Shumë njerëz mendojnë se është ushtria e dytë më e madhe në botë, por nuk kemi gjë. Nuk kemi stërvitje, nuk kemi pajisje dhe është krim të thuash këtë në Rusi”, thotë Vadim.

Ai ka thënë se me përjashtim të njërit, të gjithë eprorët për të cilët ka shërbyer në luftë kanë qenë të tmerrshëm.

“Nuk shqetësohen për ushtarët e tyre. Na trajtojnë si qen”, thotë ai.

Vadim tregon se nuk dinte çfarë po ndodhte, pasi pak ditë para pushtimit u urdhëruan të dorëzonin telefonët dhe dokumentet e identifikimit.

“Në fillim nuk e kuptonim se ku po shkonim. Por në ditën e dytë e ditëm. Ne kaluam territorin e Ukrainës dhe e dinim se çfarë po ndodhte, pasi që rrethoja e kufirit ishte shkatërruar. Ne u urdhëruam të gjuanim. Nuk e dinim se në çfarë po gjuanim, por tash më është thënë se kemi goditur një fshat me civilë”, thotë Vadim.

Ukrainasit i kanë treguar për mizoritë e kryera nga ushtarët rusë, përfshirë qindra raste të vrasjeve, torturave dhe përdhunimeve madje edhe të fëmijëve.

“Kam menduar shumë për krimet e luftës. I besoj. Pasi e di se si shkojnë gjërat në vendin tim. Dhe pasi lënë çdokënd t’i bashkohet ushtrisë”, thotë Vadim.

Ndërkohë tetari rus Ivan thotë se e ka telefonuar nënën dhe i ka treguar se është kapur rob. Ai tregon se ajo nuk po mund të fliste vetëm po qante.

Ivani fillon të përlotet kur e kujton momentin kur rojat e kampit i kërkuan që ta thërriste nënën.

Ukrainasit kanë lejuar ushtarët rusë të telefonojnë në shtëpi që të tregojnë se çfarë po ndodh në Ukrainë.

Ivani insiston se rojat nuk i dhanë ndonjë mesazh që duhet të dërgonte. Ata donin vetëm që nëna e tij të dinte se ia kanë kapur të birin dhe se është ende gjallë.

Ivani ishte pjesë e një njësiti që u kap në afërsi të Kharkivit.

Në kamionin ku ishte ai kishte lansues të raketave.

“Më kërkuan të ulem dhe më zhveshën e në kontrolluan. Ditën tjetër më dërguan diku tjetër. Frika ime më e madhe ishte se do të vdisja. Kur u dorëzova kisha frikë se do të qëllohesha”, tregon Ivani.

Ai po ashtu thotë se në luftë janë dërguar pa stërvitje fare.

“Ne bëjmë stërvitje në fushë vetëm dy herë në vit. Qëndrojmë larg shtëpisë për një muaj, dy herë në vit, duke stërvitur në qitje, por nuk stërvitemi për situata të tilla”, thotë Ivani. “Kurrë nuk kam menduar se do të shkojë në luftë”.

I pyetur për mizoritë ruse, përfshirë torturat, përdhunimet e vrasjet, Ivani thotë: “Jam i shokuar. Janë idiotë”.

Ai thotë se tash shpresa e tij është një shkëmbim të burgosurve.

“Thjeshtë dua të shoh sërish nënën time dhe të dashurën time”, thotë ai.