Një studim i ri ka sugjeruar se konsumimi i ushqimit dhe pijeve të pasura me flavonide, si frutat e malit, çajet e vera e kuqe, mund ta ulin rrezikun nga demenca për 28 për qind.
Numri i njerëzve që jetojnë me demencë në botë, parashikohet të trefishohet në 153 milionë deri në vitin 2050, gjë qe paraqet rritje të shpejtë të rrezikut në mbarë botën, shkruan The Guardian.
Faktorët rrezikues më të mëdhenj mbesin mosha dhe gjenetika, por ekspertët kanë thënë se gati gjysma e rasteve me demencë mund të parandalohen apo të shtohen dhe ka shumë prova se të ushqyerit mund të luajë rol në rrezikun për zhvillim të kësaj sëmundje.
Ekipi i studiuesve nga Queen’s University Belfast, sugjerojnë se rritja e konsumimit të ushqimit që përmban më shumë flavonide mund të ndihmojë në zvogëlimin e rrezikut nga demenca.
Shkencëtarët kanë deklaruar se flavonidet, që gjenden në ushqim me bazë bimore, ofrojnë shumë të mira shëndetësore, përfshirë veti antioksiduese, antiinflamatore e antikancerogjene. Ato gjithashtu kanë lidhje edhe me parandalimin e rrezikut nga sëmundjet kronike dhe funksionimi i sistemit kognitiv.
Gjetjet janë publikuar në Jama Network Open. Udhëheqësja e ekipit studiues, profesoresha Aedin Cassidy, ka thënë se rastet me demencë po rriten me shpejtësi të madhe në mbarë botën dhe se ekipi ka analizuar të dhënat e 120 mijë të rriturve në mes të moshës 40 deri ne 70 vjeçe, të marra nga BioBanka në Britani.
Autorja e studimit, doktoresha Amy Jennings, ka thënë se rezultatet e studimit kanë treguar se konsumimi i ushqimeve që përmbajnë më shumë flavonide çdo ditë, sidomos fruta të malit, çaj e verë të kuqe, kishte lidhje me uljen e rrezikut nga demenca për 28 për qind dhe gjetjet e kësaj studimi kanë shpërfaqur se kjo sëmundje vihej re më shumë te personat me predispozita.
Ajo ka këshilluar që personat që kanë më shumë predispozita të zhvillojnë sëmundjen e demencës, të konsumojnë sa më shumë ushqim me flavonide.
“Momentalisht, nuk ka trajtim efektiv për këtë sëmundje, prandaj parandalimi mund të përmirësojë shëndetin dhe kualitetin e jetesës”, ka thënë ajo.
Faktorët e ri rrezikues janë identifikuar nga komisioni Lancet në vitin 2020, ku bashkërisht janë të atribueshëm për rreth 26 për qind të rasteve me demencë.
Këta faktorë janë: niveli i ulët i edukimit, dëmtimi i dëgjimit, tensioni i lartë i gjakut, konsumimi i duhanit, pesha e tepërt, depresioni, aktiviteti i ulët fizik, diabeti, konsumimi i tepërt i alkoolit, lëndim traumatik i trurit, ndotja e ajrit dhe izolimi social.