Duket se ushqimet e ëmbla mund të rrisin disponimin e njeriut, por konsumimi i shpeshtë i sheqerit mund të krijojë probleme të ndryshme shëndetësore.
Dietologia Christine Byrne për Yahoo Life ka thënë se ka disa ushqime të shëndetshme që mund të kontribuojnë në disponim të mirë.

Ajo ka thënë farat e kungullit rrisin disponimin e mirë dhe duhet konsumuar disa herë në javë duke i inkuadruar nëpër sallata, drithëra apo edhe në kombinime me portokaj.
“Farat e kungullit janë burim i mirë i tryptophanit, një aminoacid që rregullon disponimin duke ndihmuar prodhimin e serotoninës, i cili është neutransmetues i lidhur me ndjenjat e mira”, ka shpjeguar Byrne.

Peshku ndihmon në ngritjen e disponimit pasi përmban acidin yndyror omega3. Ky acid vepron duke ulur presionin e gjakut, duke zvogëluar rrezikun nga aritmia dhe nivelin e triglicerideve në gjak. Kur trigliceridet janë të larta mund të rrisin rrezikun për sulm në zemër.

Avokadot janë të mbushura më yndyra të shëndetshme për zemrën, sidomos acidin oleik,i cili është i rëndësishëm për shëndetin e trurit dhe ulë rrezikun nga depresioni. Avokadot gjithashtu përmbajnë tryptophanin, gjysmë avokadoje përmban rreth 33 miligram tryptophan.

Portokajtë i kontribuojnë shëndetit të trurit sepse janë të pasur me vitaminë C, mungesa e të cilës mund të shkaktojë depresion. Portokajtë përmbajnë edhe flavonide të cilat kanë veti antiiflamatore dhe mund të ndihmojnë kundër inflamimit të trurit.

Ushqimet me gjethe të gjelbra janë burim i mirë i folateve dhe magnezit, të cilat janë të mira për parandalimin e depresionit pasi rrisin prodhimin e serotoninës, mungesa e të cilës mund të shkaktojë depresion.

Çokollata e zezë ndikon në mikrobiomin e zorrëve duke rritur prodhimin e prebiotikëve, të cilat përmirësojnë disponimin përmes boshtit komunikues zorrë-tru. Byrne ka thënë se është rekomandueshme që çokollata e zezë të konsumohet 10 gram, tri herë në ditë.