Nuk është fshehtësi që kur e ke një kuzhinë të pajisur mirë me produkte, e bën më të lehtë të ushqeheni shëndetshëm. Por çfarë duhet të mbani në kuzhinë nëse vuani nga diabeti?
Brengosja se cilat ushqime duhet t’i kufizoni, si ëmbëlsirat apo produktet tjera që përmbajnë shumë sheqer, mund t’ju bëjë të ndiheni të privuar. Në vend të kësaj, është më mirë të përqendroheni në shumë ushqime të shijshme dhe të mira për ju të cilat mund t’i shtoni në dietën tuaj, e që në fakt ju ndihmojnë në menaxhimin e sheqerit në gjak.
Këto janë ushqimet e rekomanduara nga ekspertët që e kanë ndikimin e dëshiruar:
Drithërat e plota
Merrni për shembull ushqimet si orizi ngjyrë kaf, bullguri dhe tërshëra. Edhe pse janë të pasura me karbohidrate, drithërat e plota janë po ashtu të pasuar me fibra të cilat përpunohen më ngadalë se ushqimet me sasi të vogël të fibrave dhe karbohidrateve. Kështu, drithërat kanë ndikim më të vogël tek sheqeri në gjak. Por, duhet pasuri kujdes në sasinë që e konsumoni.
Vezët
Pavarësisht formës si i përgatisni, vezët janë burimi kryesor i proteinave të cilat ndihmojnë në humbje të peshës dhe stabilizimin e niveleve të sheqerit në gjak. Po ashtu, vezët i luftojnë hormonet e urisë. Ky është lajm i mirë për personat që vuajnë nga diabeti sepse humbja e peshës ndihmon në përmirësimin e glukozës në gjak dhe e mundëson zvogëlimin e dozës së ilaçeve.
Patatet e ëmbla
Patatet e ëmbla janë një tjetër burim karbohidratesh miqësore për diabetin. Një patate e ëmbël mesatare përmban 4 gramë fibra dhe gati një të tretën e vitaminës C të nevojitur për konsum ditor. Ato janë po ashtu të pasura me vitaminë A, çka nënkupton se e përmirësojnë funksionin e qelizave të cilat prodhojnë insulinë.
Peshku i yndyrshëm
Ja një fakt i frikshëm: njerëzit me diabet të tipit 2 kanë deri në katër herë më shumë gjasa të vdesin nga sëmundjet e zemrës. Lajmi i mire është se, një dietë e pasur me mish peshku të mbushur me omega-3, si salmoni, harenga, sardelet, skumbri, trofta dhe tuna, mund ta ulë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe të shmangë inflamacionin. Peshku i yndyrshëm gjithashtu ndikon në mbrojtjen e syve nga komplikimet që lidhen me diabetin.
Perimet e gjelbra
Perimet e gjelbra si spinaqi dhe lakra, përmbajnë sasi të ulët e kalorive dhe karbohidrateve, por janë të pasura me vlera ushqyese. Kjo i bënë ushqime të përkryera për diabetikët.
Avokadot
Kjo frutë kremoze është burim i yndyrave të shëndetshme dhe mjaft e shijshme. Avokadot po ashtu janë të pasura me fibra, që ndihmon në parandalimin e rritjes së insulinës duke e ngadalësuar rritjen dhe rënien e sheqerit në gjak.
Jogurti
Kur bëhet fjalë për produkte të qumështit, ushqimi më i shëndetshëm për diabetikët është jogurti grek. Ai është i pasur me proteina dhe përmban sasi më të vogël të karbohidrateve sesa jogurti i rregullt, çka ndihmon në stabilizimin e sheqerit në gjak.
Manaferrat
Këto fruta të vogla janë shumë të shijshme dhe ju ndihmojnë ta largoni urinë për të konsumuar ëmbëlsira, pa e mbushur trupin e sheqerna të dëmshme. Gjithashtu ato janë të mbushura me fibra stabilizuese të sheqerit në gjak dhe antioksidantë, që mund të ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës. Mundohuni t’i konsumoni manaferrat sipas sezoneve, por mos hezitoni të hani edhe të ngrira sepse ekspertët konstatojnë se as kështu nuk i humbin vlerat ushqyese.
Arroret
Arroret mund t’i përdorni për largimin e urisë. Ato ju sigurojë sasi të madhe të proteinave, fibrave dhe yndyrave të shëndetshme, ju mbajnë të kënaqur dhe e stabilizojnë sheqerin në gjak. Për ta kontrolluar sasinë e kalorive që i konsumoni, sugjeroheni që t’i hani ato me masë.
Kanella
Një lugë e vogël kanelle në drithëra, jogurt apo kafe, ju ndihmon të siguroni ëmbëlsi natyrale pa pasur nevojë të shtoni sheqer në ushqimin apo pijen tuaj. Por, kjo nuk është dobia e vetme që e sjell kanella. Tashmë është vërtetuar se kjo erz ndihmon në përmirësimin e niveleve të glukozës në gjak, duke e zvogëluar përthithjen e karbohidrateve dhe duke e bërë më të lehtë që qelizat ta përthithin insulinën.