Ushqimet që duhet të mënjanohen për ta parandaluar plakjen e parakohshme

Shumë individë mund të kenë probleme të ndryshme shëndetësore gjatë plakjes së organizmit, por ka disa mënyra përmes të cilave mund të përmirësohet stili i të jetuarit, gjë që mund të ndikojë për të mirë sikur në organet e brendshme trupore ashtu edhe tek organi më i madh, lëkura.

Pasi ushqimi luan rol të rëndësishëm te çështjet shëndetësore, India.com, ka listuar disa nga ushqimet që mund të ndikojnë keq në organizëm, të cilat do të mund ta përshpejtonin plakjen nëse konsumohen më shumë se që duhet.

Ushqimet dhe pijet me sheqer të shtuar


Konsumimi i shpeshtë i ushqimit dhe pijeve që përmbajnë sheqer industrial, apo ëmbëltues e përforcues shijesh, ndikon për të keq tek organizmi. Këto ushqime do të mund ta dëmtojnë prodhimin e kolagjenit, gjë që ndikon tek elasticiteti i lëkurës duke e bërë atë të rrudhosur.

Kafeina

Ndërkohë që është raportuar se konsumimi i moderuar i kafeinës mund të jetë gjë e mirë për shëndetin, nëse teprohet konsumimi i saj mund të jetë gjë e keqe, pasi që ajo pengon procesin e gjumit dhe mund ta bëjë organizmin të dehidratohet, gjë që prek direkt indet e lëkurës si dhe plakjen e organizmit.

Ushqimi me shumë yndyra

Yndyrat e dëmshme, të cilat gjenden tek ushqimet e skuqura, si dhe ato të paketuara, mund t’i bllokojnë arteriet e gjakut duke mos lejuar qarkullimin normal. Kjo gjë mund të nxisë inflamacion në organizëm, gjë që ndikon keq te lëkura dhe shëndeti kardiovaskular.

Alkooli

Konsumimi i tepërt i alkoolit shkakton shumë probleme shëndetësore. Ai dëmton lëkurën, pengon organizmin të bëjë përthithjen e vlera të nevojshme ushqyese, e dehidraton atë, pengon prodhimin e kolagjenit si dhe dëmton mëlçinë, çështje këto që ndikojnë te plakja e parakohshme e organizmit.

Ushqimet e njelmëta 

Konsumimi i tepërt i ushqimeve që përmbajnë sodium apo kripëra të tepërta, e bën organizmin të dehidratohet, gjë e bën lëkurën të duket e lodhur dhe me shenja. Kripërat e tepërta mund të ndikojnë keq edhe tek veshkat dhe kanalet e urinimit, pasi grumbullimi i sodiumit nëpër këto kanale mund të zhvillojë gurë apo rërë në veshkë, gjë që mund të sjellë ndërlikime për shëndetin.

Karbohidratet e rafinuara

Buka e bardhë, pastat si dhe ëmbëlsirat e tjera që përgatiten me brumë mund të rrisin nivelin e sheqerit në gjak, gjë që kontribuon në rezistencë të organizmit ndaj insulinës si dhe shkakton edhe plakjen e lëkurës.

Mishi i shumëpërpunuar

Mishrat e ndryshme, si proshuta e salsiçet, përmbajnë kemikate të ndryshme si dhe sasi të lartë të sodiumit, gjë që mund të çojë në dehidratim dhe inflamacion, të cilat shkaktojnë plakje të parakohshme.