Ngrënia e mëngjesit nuk duhet të anashkalohet, sepse është shujtë që varësisht nga përmbajtja, ndikon në disponim.
Për të pasur disponim të mirë rekomandohet të konsumohen disa ushqime e pije të caktuara, shkruan “India.com”.
Pudingu me fara chia është i pasur me shumë fibra, prandaj është një ndër ushqimet që rekomandohet të konsumohet në mëngjes. Fibrat ndihmojnë në shëndetin e zorrëve duke ofruar tretje më të mirë të ushqimit.
Vezët e fërguara janë po ashtu të mira në rregullimin e disponimit. Vezët në përgjithësi janë një ndër ushqimet e para që rekomandohen të konsumohen në mëngjes, pasi janë të pasura me proteinë e vitamina, që janë të mira për shëndetin e trurit. E verdha e vezës përmban vitaminë D e cila ndihmon shëndetin mendor.
Djathi tofu po ashtu rekomandohet të konsumohet në mëngjes, për shkak se është burim i mirë i proteinave, të cilat luajnë rol kundër depresionit.
Qumështi bimor me një lugë turmerik dhe pak piper të zi është i mirë për mëngjes. Kjo pije është antiinflamator i fuqishëm që ndihmon kundër stresit e ankthit, rrit nivelin e energjisë trupore dhe ndihmon trurin të qëndrojë i fokusuar.
Pije të përgatitura në shtëpi me perime të gjelbra konsiderohet të jenë të mira për të filluar ditën.
Perimet me gjethe të gjelbra përmbajnë shumë vlera ushqyese. Spinaqi kur kombinohet me fruta të malit formon një pije me shumë antioksidant, që ndihmon organizmin nga radikalet e lira dhe rrit imunitetin duke rritur kështu edhe disponimin e mirë.