Ushqimet më të dëmshme për veshkat

Veshkat janë luftëtarët e trupit të njeriut: balancojnë lëngjet, elektrolitet dhe substancat e tjera, si dhe e filtrojnë ujin dhe mbeturinat nga gjaku ynë duke prodhuar rreth 1500 mililitra urinë në ditë.

Dy sëmundje kronike që rrisin rrezikun e sëmundjeve të veshkave janë, diabeti dhe hipertensioni (presioni i lartë i gjakut), raporton portali “Eat This, Not That”. Ndërsa sëmundjet më të zakonshme të këtij organi jetik janë: gurët në veshka, dëmtimi akut i veshkave dhe sëmundjet kronike të tyre. Prandaj, kufizimi i marrjes së natriumit dhe yndyrave të ngopura janë mënyra kryesore për të reduktuar rrezikun ose menaxhuar diabetin dhe hipertensionin.

Kjo nënkupton se veshkat kanë funksion të rëndësishëm për shëndetin e njeriut, por ato gjithashtu mund të dëmtohen nëse nuk kujdesemi për to. Një mënyrë e mirë për ruajtjen e shëndetit të veshkave është kujdesi ndaj ushqimit.

Por cilat janë ushqimet më të dëmshme për veshkat?

Mishrat e përpunuara

Mishrat që i janë nënshtruar përpunimit, të tilla si proshuta, salsiçet, sallami dhe mishi i hamburgerëve, janë një kërcënim i dyfishtë për shëndetin e veshkave. Këto lloje të mishit janë të pasura me natrium dhe proteina me origjinë shtazore. Marrja e tepërt e natriumit, mbi 2300 miligramë në ditë, mund të rrisë presionin e gjakut dhe kjo krijon stres shtesë në veshka. Studimet e fundit kanë zbuluar se përfshirja e më shumë proteinave shtazore sesa proteinave bimore në dietë, mund ta rrisë shkallën e përparimit të sëmundjeve të veshkave.

Supa

Supa shpesh konsiderohet si një drekë e lehtë ose një ushqim i përkryer për ta qetësuar dhimbjen e fytit nëse keni simptoma të ftohjes ose gripit, por për fat të keq, supat janë të mbushura me kripë. Edhe nëse përgatiten në shtëpi, ato shpesh bëhen me mish viçi, pule ose perime, të cilat përmbajnë mbi 800 miligramë natrium për filxhan.

Patatet e fërguara

Patatja është një prej perimeve më të konsumuar. Dhe mënyra më e shpeshtë e konsumimit të tyre është në formë të fërguar, prandaj ky ushqim nuk i bënë asnjë favor veshkave tuaja. Ushqimet e fërguara janë më mirë të shmangen, për ta mbrojtur shëndetin e zemrës dhe veshkave. Patatet gjithashtu përmbajnë sasi të larta të kaliumit, i cili është një mineral që duhet shmangur patjetër nëse veshkat janë të dëmtuara.

Salca e sojës

Salca e sojës është një nga salcat me sasinë më të lartë të natriumit. Ky produkt përmban sasi tronditëse prej 950 miligramësh natriumi për një lugë gjelle, që është gati 50 për qind e vlerës ditore të natriumin e lejuar për përdorim. Salca e sojës përdoret në mënyrë klasike për t’i dhënë aromë dhe shije të këndshme ushqimit. Por, sugjeroheni ta gjeni një mënyrë në recetën tuaj për ta zëvendësuar këtë salcë me përbërësit me përmbajtje të ulët natriumi, si kërpudhat, pasta e domates, maja e bukës ose uthulla me aromë.