Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të qëndrojë sot, e enjte, për vizitë zyrtare në Kosovë. Vizita zhvillohet në kuadër të turneut të saj në Ballkanin Perëndimor.
Ajo me këtë rast do të takohet me presidenten Vjosa Osmani. Pas takimit Von der Leyen dhe Osmani do të mbajnë konferencë për media.
Presidentja e Komisionit Evropian do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti, si dhe do të vizitojë projektin e financuar nga Bashkimi Evropian për efiçiencën e energjisë, së bashku me Kurtin.
Gjatë vizitës së Von der Leyenit do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa rrugë. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se për shkak të vizitës njëditore të presidentes së Komisionit Evropian, në disa segmente rrugore do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të automjeteve. Në njoftimin për media thuhet se policia gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit në Kosovë. Policia ka kërkuar mirëkuptim të plotë nga qytetarët dhe pjesëmarrësit tjerë në trafik, për këto ndërprerje të shkurtra të trafikut, e cilat thuhet se bëhen për shkaqe operacionale.