Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër nga Ursula von der Leyen, kryetare e Komisionit Evropian, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Përmes kësaj letre, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen duke folur për pandeminë COVID-19 që ka prekur edhe vendin tonë, ka theksuar se është plotësisht e vetëdijshme se një situatë shumë më e ashpër e financimit ka qenë një aspekt i krizës së COVID-19 për ekonomitë në zhvillim siç është Kosova”, thuhet në komunikatë.
Ndihma Makro-Financiare e BE-së siç shkruan ajo, si pasojë, adreson nevojën urgjente, duke ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar të Kosovës dhe në krijimin e hapësirës politike për të ju mundësuar që të merrni masa të përshtatshme në përgjigje të krizës.
Ajo ka theksuar se Komisioni Evropian do të punojë ngushtë me Parlamentin Evropian dhe Këshillin e BE-së në ditët në vijim me qëllim të miratimit të shpejtë të pakos së propozuar të Ndihmës Makro-Financiare
Letra e plotë e Kryetares së KE-së, Ursula von der Leyen.
I nderuar Kryeministër,
Në vazhdën e pandemisë së COVID-19, kriza shëndetësore dhe ekonomike po godet fuqishëm vendet tona. BE-ja qëndron krah për krah me fqinjët dhe partnerët e saj më të afërt, jo vetëm për të ndaluar shpërndarjen e virusit, por edhe t’i frenuar pasojat ekonomike dhe për t’i vendosur ekonomitë tona në një rikuperim të fortë dhe të qëndrueshëm.
Në këtë frymë, BE-ja veçse ka mobilizuar 68 milionë Euro në Kosovë për të adresuar krizën e tanishme shëndetësore dhe për të zbutur ndikimin socio-ekonomik të pandemisë.
Përveç kësaj, Komisioni Evropian këtë javë ka propozuar një pako të paprecedentë me vlerë 3 miliardë Euro të Ndihmës Makro-Financiare ku përfshihet edhe Kosova së bashku me nëntë partnerë të tjerë të BE-së për vendet në procesin e zgjerimit dhe rajonet fqinje. Përmes kësaj pakoje, Kosova do të përfitojë nga kreditë koncesionare nga BE-ja deri në 100 milionë Euro.
Jam plotësisht e vetëdijshme se një situatë shumë më e ashpër e financimit ka qenë një aspekt i krizës së COVID-19 për ekonomitë në zhvillim siç është Kosova. Ndihma Makro-Financiare e BE-së, si pasojë, adreson nevojën urgjente, duke ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar të Kosovës dhe në krijimin e hapësirës politike për të ju mundësuar që të merrni masa të përshtatshme në përgjigje të krizës.
Komisioni Evropian do të punojë ngushtë me Parlamentin Evropian dhe Këshillin e BE-së në ditët në vijim me qëllim të miratimit të shpejtë të pakos së propozuar të Ndihmës Makro-Financiare. Njëkohësisht, stafi im do të jetë në kontakt me stafin tuaj për të identifikuar zotimet e rëndësishme dhe ambicioze politike, por prapë së prapë të arritshme me të cilat do të lidhet ndihma e BE-së. Këto do të përcaktohen në një memorandum mirëkuptimi që do të nënshkruhet mes Kosovës dhe BE-së.
Shpejtësia është thelbësore në krizën aktuale. Prandaj, unë mbështetem në përkrahjen tuaj personale dhe angazhimin tuaj në këtë proces në mënyrë që negociatat të mund të përfundojnë me shpejtësi dhe kësti i parë i kredisë të mund të arrijë sa më shpejtë në Kosovë.
Sinqerisht e juaja,
Ursula von der Leyen